Një grua është plagosur me armë zjarri pak ditë më parë në Athinë.
Mediat greke raportojnë se gruaja është bashkëshortja e një anëtari të bandës shqiptare “Luanët”, që merren me trafikun e drogës, qenieve njerëzore dhe mbrojtjes së dyqaneve kryesisht në Sepolia dhe Gazi.
Historia e gruas nisi të zbardhej dy ditë më parë kur gruaja u dërgua nga familjarët në spital me një plagë të rëndë në bark të shkaktuar nga një armë zjarri. Policia është njoftuar nga spitali dhe efektivët e saj po kryejnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Gruaja ende nuk është në gjendje të dëshmojë dhe nuk dihen rrethanat e plagosjes së saj.
Autoritetet kanë kryer disa kontrolle në shtëpitë që dyshohet se kanë lidhje me bandën me qëllim mbledhjen e provave që mund të hedhin dritë mbi plagosjen e gruas. Sipas mediave të gjitha mundësitë janë të hapura, madje edhe ajo e tentativës për vetëvrasje.
Bashkëshorti i gruas së plagosur dyshohet se është i lidhur me të shtënat që kanë ndodhur në Lenorman pak ditë më parë mes një grupi shqiptarësh.
Vlen të thuhet se anëtarët e bandës kriminale ‘Luanët’ u përfshinë në vrasjen e 39-vjeçarit shqiptar Pëllumb Islami në Nea Joni. Anëtarët e bandës kanë qenë të punësuar në trafikun e drogës, trafikut të qenieve njerëzore dhe mbrojtjes së dyqaneve, kryesisht në Sepolia dhe Gazi, ndërsa ishin shtrirë edhe në Zakynthos.
Pak ditë më parë mediat greke publikuan pamjet e Elis Salajt, 35-vjeçarit nga Fieri, i cili akuzohet për vrasjen e 39-vjeçarit. Videoja është postuar në rrjetet sociale dhe tregon Salajn duke u shfaqur pa shqetësuar pranë një grupi personash. Sipas mediave greke, policia ka konfirmuar se vrasja e datës 21 shkurt është kryer pikërisht nga Salaj në Nea Ionia të Athinës. Megjithatë, Salaj, i cili është pjesë e grupit kriminal të vetëquajtur “Luanët”, vazhdon të qarkullojë lirshëm.