Kush është Zohran Mamdani, socialisti që mund të bëhet kryebashkiaku i parë mysliman i New York-ut

Në prag të zgjedhjeve për kryebashkiakun e New York-ut, një emër po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje në arenën politike amerikane është Zohran Mamdani, politikani 34-vjeçar që mund të bëhet jo vetëm kryebashkiaku më i ri i qytetit, por edhe i pari mysliman në historinë e New York-ut.

Sipas La Repubblica, Mamdani, i cili e përshkruan veten si “një politikan me shpirt skandinav dhe lëkurë më të errët”, ka arritur të kthehet nga një figurë pak e njohur në një prej kandidatëve më të fuqishëm për drejtimin e qytetit që “nuk fle kurrë”.

Aktualisht ai udhëheq në sondazhe me 41% të votave, shtatë pikë përpara rivalit të tij kryesor, ish-guvernatorit Andrew Cuomo (34%), ndërsa republikani Curtis Sliwa renditet i treti me 24%.

Një histori migrimi, arti dhe aktivizmi

Zohran Keame Mamdani lindi në Ugandë në vitin 1991. Babai i tij, Mahmood Mamdani, është një prej politologëve më të njohur afrikanë, ndërsa e ëma është regjisorja e famshme indiane Mira Nair, autore e filmit kult Monsoon Wedding. Familja u zhvendos në New York në vitin 1998, kur ai ishte vetëm shtatë vjeç.

I rritur në lagjen Astoria të Queens-it, një mozaik kulturash dhe etnish, Mamdani u formua mes realiteteve të ndryshme që e çuan drejt një vizioni politik të ndërtuar mbi barazinë sociale dhe drejtësinë ekonomike. Fillimisht i apasionuar pas hip-hopit, ai më vonë zgjodhi të përfshihej në punë sociale, duke ndihmuar familjet me të ardhura të ulëta të mos humbnin shtëpitë e tyre për shkak të kredive.

“Çdo ditë shihja pasojat konkrete të pabarazisë”, ka rrëfyer ai.

Nga aktivist në favorit për kryebashkiak

Mamdani u bë pjesë e “Socialistëve Demokratë të Amerikës” në vitin 2017, dhe vetëm tre vite më vonë fitoi një vend në Asamblenë e Shtetit të New York-ut, duke përfaqësuar zonën e tij, Astoria.

Ai u rikonfirmua në zgjedhjet e 2022 dhe 2024, duke fituar terren falë një platforme që përfshin masa ambicioze si:

– transport publik falas,

– ndalim i rritjes së qirave për banesat me çmime të kontrolluara,

–  ndërtim i 200 mijë njësive të reja banimi të përballueshme,

–  çerdhe falas për të gjitha familjet,

– dhe rritje graduale të pagës minimale në 30 dollarë/orë deri në vitin 2030, e financuar përmes taksimit të korporatave të mëdha dhe milionerëve.

Këto propozime e kanë kthyer në një simbol të brezit të ri progresist, por edhe në një shënjestër të pasanikëve dhe konservatorëve.

Presidenti Donald Trump e ka quajtur “komunist” dhe ka paralajmëruar se do të ndërpresë fondet federale nëse ai zgjidhet.

Një figurë që ndan, por edhe frymëzon

Megjithëse Mamdani ka fituar mbështetjen e figurave të majta si Bernie Sanders dhe Alexandria Ocasio-Cortez, ai ka shkaktuar debate të forta brenda vetë forcës për qëndrimet e tij kritike ndaj politikave të Izraelit. Ai e ka dënuar hapur “gjenocidin ndaj palestinezëve në Gaza” dhe ka propozuar ndalimin e financimeve për organizata që mbështesin vendbanimet ilegale izraelite.

Përkundër kritikave, ai ka fituar simpatinë e brezit të ri hebre në qytet. Një sondazh i korrikut 2025 tregon se 67% e votuesve hebrenj nën moshën 44 vjeç do ta mbështesnin kandidaturën e tij.

Në mënyrë befasuese, ish-presidenti Barack Obama e ka kontaktuar personalisht, duke i ofruar mbështetje morale dhe këshilla për të ardhmen, çka mund të ketë forcuar pozicionin e tij në mesin e demokratëve të moderuar.

Një fushatë që ndryshon rregullat e lojës

Në fund të tetorit, Mamdani u pa kudo në qytet, nga paradat e komuniteteve etnike deri te takimet e fushatës me Sanders dhe Ocasio-Cortez.

Në lagjen Upper East Side, zakonisht e rezervuar për elitat e pasura, ai udhëtoi me metro si çdo qytetar i zakonshëm dhe u përshëndet nga turma entuziaste që kërkonte foto e përqafime.

La Repubblica shkruan se “figura e tij ka sjellë një frymë të re në politikën amerikane, duke përfaqësuar zërin e brezave që kërkojnë ndryshim real, jo thjesht retorikë”.

Nëse fiton, Mamdani do të hyjë në histori si kryebashkiaku i parë mysliman i New York-ut dhe një prej më të rinjve që kanë drejtuar ndonjëherë këtë qytet me buxhet prej 116 miliardë dollarësh, duke u kthyer kështu një simbol i një Amerike më shumëngjyrëshe, më sociale dhe ndoshta, më të guximshme.

Vizita e Ramës në Paris, takim edhe me “vëllain” Alex Soros (FOTOT)

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Forumin e Paqes në Paris, javën e kaluar ndërsa ishte edhe një prej folësve në këtë event.

Organizimi është pasuar nga dreka dhe darka me të pranishmit, përfshirë edhe krerët më të lartë të Francës por edhe vendeve të tjera evropiane si presidenti Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz.

Por pjesëmarrës në këtë event ka qenë edhe Alexander Soros, djali i George Soros. Ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij Huma Abedin.

Alex Soros është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama, apo siç ai e quan “vëllai”. Është Sorosi ai që ka shpërndarë disa fotografi nga ky event, ku në një prej tyre shihet Alex Soros me bashkëshorten dhe kryeministri Edi Rama me bashkëshorten Lindën.

Galeria fotografike (

1 / 2

)

Surpriza e fundit e Fatos Nanos

Katër vitet e fundit, Fatos Nano ishte zhdukur plotësisht nga jeta publike. Janë vite të mjaftueshme për të harruar personazhe publike. Shto edhe 16 të tjera, dhe bëjnë 20 që ai nuk ishte aktiv në politikë.

E megjithatë ajo që nuk pritej ishte prania e njerëzve të thjeshtë në funeralin e tij. Askush nga njerëzit e zakonshëm e të paemër prezent, nuk shkuan aty që të merrnin privilegjet e fundit. Ishte thjesht mirënjohje. Një mirënjohje e cila ka lidhje me personin Nano si njeri dhe si shtetar.

Jeta e Fatos Nanos dhe pasojat e saj në politikë do studiohen qetësisht pas shumë vitesh, atëherë kur edhe arkivat të jenë hapur për studiuesit seriozë. Por Fatos Nanon njerëzit e thjeshtë e deshën për faktin se ai kishte një fat të ngjashëm me të tyren: kishte provuar skamjen, burgun, armiqësitë; kishte veset e tyre dhe pasionet po ashtu.

Fatos Nano ishte njeriu që nuk vrau askënd me armët e shtetit apo me ato të horrave, edhe atëherë kur e lejonte ligji. Ligj që e përmend Berisha sa herë do të justifikojë katër të vrarët në bulevard.

Fatos Nano nuk ngjallte konflikte me gjuhën e tij. Fjalimi më i ashpër i tij ngjan si predikim murgeshash krahasuar me të ngjashmit. Kjo sillte një klimë më të butë sociale. Kurse akti i tolerancës ndaj persekutorëve të tij, do mbetet gjatë i pakrahasueshëm, e si një shenjë emancipimi, ndoshta shumë e parakohshme dhe e pavend.

Fatos Nano lejoi shtetin të merrte frymë. Shpesh kjo ngatërrohet me përtacinë e tij. Por ishte e vetmja rrugë që shteti mos shikohej si mjet i dhunës.

Në llojin e tij ai ishte dhe mbeti një fëmijë i jashtëzakonshëm. Në moshën 15 vjeçare fliste 5 gjuhë. Sikurse në moshë madhore nuk e kishte problem të rrinte edhe me horrat. Sigurisht jo për të mësuar prej tyre, por si pjesë e një bote që donte ta njihte. Këtë ai nuk e fshehu kurrë.

Asnjëherë ai nuk tregoi me njerëzit elitarizmin apo fodullëkun që ia lejonte intelekti i tij dhe pozicioni social. Dhe kjo vlen në një popull të ushqyer me barazitarizmin.

Fenomeni Nano ishte unik, dhe si i tillë bëri që edhe pse tashmë fizikisht merr fund një kohë që ka emrin e tij, njerëzit e thjeshtë vajtën ta nderonin, jo sepse do të merrnin ndonjë favor prej tij, por thjesht për dashuri, duke surprizuar kështu shumëkënd, përfshirë rradhëshkruesin.

Zbulohet shuma e kripur: Ja sa fitoi “sherifi” LaCivita nga PD për zgjedhjet

Është zbuluar pagesa që Partia Demokratike ka bërë për strategun Chris LaCivita për fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Sipas raportit financiar të PD të depozituar në KQZ, shuma totale që është derdhur në llogarinë e kompanisë Advancing Strategies te Chris LaCivita është plot 1 milionë e 670 mijë dollarë.

Pagesat janë kryer në data 11 shkurt 2025, 16 mars 2025, 24 mars 2025, 26 maj 2025.

Pagesa e fundit për LaCivitan ishte 15 ditë pas zgjedhjeve.

“Sherifi” LaCivita u bë një emër i lakuar gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare, me mazhorancën që kërkoi gjithnjë transparencë për paratë me të cilat ai do të paguhej.

Ai doli në disa takime elektorale me kreun e PD, Sali Berisha ku bëri dhe akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Por edhe ky i fundit e vuri në qendër të ironisë së tij gjatë fushatës.

E rëndë në Serbi / Vdes në fushë gjatë ndeshjes ish-futbollisti i Tiranës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në ndeshjen mes Mladost dhe Radniçkit në kampionatin serb të futbolli. Mladen Zizovic, trajneri i Radniçkit, ka pësuar kolaps në fushën e lojës dhe është ndarë nga jeta.

Ngjarja ka ndodhur në minutën e 20-të të sfidës, kur 44-vjeçari Zizovic u rrëzua para pankinës së tij. Atij iu dha ndihma mjekësore dhe u dërgua me ambulancë drejt spitalit. Gjyqtari më pas rifilloi ndeshjen, për ta ndalur para fundit të pjesës së parë, kur u mësua lajmi tragjik se ai nuk ia kishte dalë.

E rëndë në Serbi / Vdes në fushë gjatë ndeshjes

Mladen Zizovic është një emër i njohur edhe për futbollin shqiptar, pasi boshnjaku, gjatë karrierës së tij si futbollist, ka qenë pjesë e Tiranës në sezonin 2010-2011, duke luajtur 17 ndeshje e shënuar një gol për bardheblutë.

Edhe gjatë viteve të tij si trajner, ai ishte përmendur disa herë si një kandidat për t’u ulur në stolin e  bardhebluve, më saktësisht në verën e vitit 2024, pasi kishte lënë drejtimin e skuadrës së Shkupit.

Vrasja e 13-vjeçares shqiptare në Itali, dënohet me 17 vite burg ish i dashuri i saj

Një 16-vjeçar në Itali është dënuar ditën e sotme me 17 vite burg për vdekjen e 13-vjeçares shqiptare, Aurora Tila,  e cila ra nga ballkoni i banesës së saj nga kati i shtatë, ngjarje kjo që ndodhi më 25 tetor 2024 në Piacenza.

Sipas Ansa-s, seanca gjyqësore u zhvillua në Gjykatën e të Miturve në Bolonja, ku gjyqtari vendosi për dënimin me 17 vite heqje lirie, pasi prokurori i çështjes kishte kërkuar 20 vite dhe 8 muaj burg.

Prindërit e Aurorës, janë shprehur se drejtësia është vendosur në vend, por do të ishte më mirë sipas tyre që 16-vjeçari të dënohej me 20 vite burg, e jo 17.

“Jam e kënaqur me dënimin prej 17 vitesh burg, edhe pse 20 do të ishin më mirë. Të paktën, drejtësia është vënë në vend. Gjithmonë kam besuar tek drejtësia, e kam thënë këtë që nga fillimi”, u shpreh nëna e 13-vjeçares së ndjerë.

Viktima dhe 16-vjeçari kanë qenë të lidhur, e sipas raportimeve të mëparshme, ka qenë vajza e cila i ka dhënë fund marrëdhënies për shkak të problemeve që kanë pasur.

Familjarët e viktimës, kanë shprehur se ajo nuk kishte shfaqur asnjë shenjë depresioni, por e ëma e 13-vjeçares kishte kryer disa ditë para ngjarjes tragjike një denoncim për adoleshentin, pasi e shqetësonte të miturën.

Sakaq, 16-vjeçari ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, duke u shprehur se vajza është hedhur vetë nga ballkoni. Ka qenë ai i cili ka kërkuar ndihmë te fqinjët në momentin e parë dhe kishte telefonuar policinë.

Por dëshmitë treguan të kundërtën.

Një dëshmitar zbuloi se ishte i pandehuri ai që e bëri Aurorën të rrëzohej, ndërsa ajo, e kapur pas kangjellave dhe pas belit, i tha: “Të dua, nuk mund të ma bësh këtë”.

Kushtetuesja i ridha Tiranën Veliajt, ish-deputetja që do t’i zinte vendin Manastirliut mbetet jashtë Parlamentit

Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë sot Erion Veliajt për të vijuar detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Në këtë mënyrë rrëzohet vendimi i qeverisë që e shkarkonte nga posti pas propozimit që i kishte bërë Këshilli Bashkiak i Tiranës. Po ashtu në kryeqytet nuk do të zhvillohen zgjedhje, duke e bërë edhe dekretin e presidentit Bajram Begaj të pavlefshëm.

Në këtë mënyrë, Ogerta Manastirliu, kandidate për kryebashkiake nga Partia Socialiste, nuk do të detyrohet të lërë mandatin e deputetes.

Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin, Manastirliu do të dorëzonte mandatin e deputetes dhe ajo do të zëvendësohej nga Blerina Gjylameti sipas renditjes së listës.

Kështu, pasi humbi për pak vota kundrejt Olta Xhaçkës në garën brenda partisë, për Gjylametin sot ka ardhur surpriza negative.

GJKKO duhet të lirojë Erion Veliajn përpara se prangat t’ia heqë Gjykata e Strasburgut

SPAK ose GJKKO duhet të ndryshojnë masën e arrestit me burg për Erion Velinë, për disa arsye ligjore dhe kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ka kthyer në detyrë kryetarin e bashkisë, Erion Veliajn. Automatikisht edhe dekreti i Presidentit për zgjedhjet mbetet në fuqi, duke lënë të kuptohet se Erion Veliaj do të jetë në detyrë deri në qershor 2027.

Në këto kushte, a mund ta drejtojë ai Bashkinë e Tiranës nga paraburgimi i Durrësit?

Ligjvënësi ka parashikuar në Kodin e Procedurës Penale masën e arrestit me burg si masë ekstreme shtrënguese, e cila përdoret vetëm kur të gjitha masat e tjera konsiderohen të paaplikueshme.

GJKKO duhet të ndryshojë masën e sigurimit për disa arsye juridike:

1-  Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka krijuar rrethana të reja ligjore dhe juridike, të cilat lidhen me ushtrimin e detyrës dhe të drejtave kushtetuese.

2-  Ky vendim është bazë juridike për Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg që ta konsiderojë arrestimin si masë të papërshtatshme, njësoj si në rastin e ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi. Për më tepër, Erion Veliaj është i zgjedhur nga populli.

3-  GJKKO ka një praktikë të mëparshme me Sali Berishën, ku pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese masa e sigurisë u ndryshua nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitjeje”.

4-  GJKKO ka sërish një precedent penal me të njëjtin personazh politik, ku pas kalimit të dosjes për gjykim, i pandehuri nuk mund të dëmtojë më provat apo të pengojë hetimin.

5-  Gjykata duhet të vlerësojë se Erion Veliaj nuk paraqet më rrezikshmëri shoqërore dhe nuk ka arsye të arratiset nga Shqipëria.

6- Ashtu si shumë deputet apo zyrtarë që hetohen të lirë, edhe Erion Veliaj mund të gjykohet pa pranga.

Të gjithë mund të jemi politikisht kundër Erion Veliajt, por sot të gjithë duhet të jemi juridikisht pro tij, si mundësi që Shqipëria të tregojë se ka institucione dhe gjykata që janë garante të Kushtetutës.

Larg çdo egoje profesionale, gjykatat shqiptare duhet ta lirojnë sot Erion Velinë për të ruajtur integritetin e tyre institucional.

Unë do të këshilloja çdo gjyqtar ta lirojë sot, sepse do të ishte më dinjitoze që prangat t’ia heqë Shqipëria, e jo Gjykata e Strasburgut.

Lirimi i Erionit është vetëm çështje kohe…

Momente të ethshme në Kryeministri/ Ministrat mblidhen sërish në orët e natës për një tjetër mbledhje

Këshilli i Ministrave ka zhvilluar sot një mbledhje, ndërsa vendimet e saj nuk janë zbardhur.

Vox News mëson se dhe pse mbledhja e qeverisë ka mbaruar, ministrat nuk janë larguar nga godina e Kryeministrisë, pasi do të zhvillojnë një tjetër mbledhje urgjente.

Por, në këto orë të ethshme në Kryeministri do të vendoset fati i zëvendëskryeministres Belinda Balluku, por miratimi i buxhetit të vitit 2026.

Sakaq, kryeministri Edi Rama do të udhëtojë nesër drejt Brukselit për të marrë pjesë në forumin mbi zgjerimin e BE-së.

Ndërkohë, në mbledhjen e ardhshme, qeveria do të marrë vendimin nëse Balluku do të qëndrojë në postin e zëvendëskryeministres dhe atë ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë apo do të largohet për t’u përballuar me hetimin e SPAK si një deputete e thjeshtë.

Horoskopi për ditën e sotme, e martë 4 nëntor 2025

Dashi
Çështjet financiare mund të kenë nevojë për vëmendje sot. Faturat duhet të paguhen çekët ose kontratat të ekzekutohen. Lehtësimi që do të merrni nga kjo duhet t’ju ngrejë ndjeshëm moralin. Dilni në ajër të pastër, bëni një shëtitje dhe shfrytëzoni më shumë energjinë tuaj.


Demi
Je në humor të shkëlqyer dhe mezi pret të bësh thuajse çdo gjë. Energjia jote fizike është e lartë, kështu që rekomandohet të bësh disa ushtrime, ndoshta sporte të ndryshme. Mund të duash të bësh një udhëtim të shkurtër jashtë qytetit, të nisësh një kurs të ri studimi ose të provosh të shkruash.


Binjakët
Ke mbërritur në një pikënisje të rëndësishme. Nis rrugën që gjithmonë ke dashur të ndjekësh. Je në pozicionin e përsosur. Rruga mund të duket e gjatë, por nuk ka pse të jetë e frikshme.


Gaforrja
Mos merrni asnjë vendim të madh. Shtyjeni për më vonë. Mendja juaj nuk është plotësisht e qëndrueshme dhe çdo veprim që bëni nuk do të dalë ashtu siç dëshironi. Kjo është një kohë për t’iu përmbajtur detyrave që janë planifikuar tashmë.


Luani
Nuk mund t’u besosh plotësisht fjalëve të të tjerëve. Njerëzit mund të thonë një gjë tani dhe të premtojnë gjithçka, por që ata ta mbajnë këtë premtim është një histori tjetër. Në fund të fundit, ata kanë në mendje axhendën e tyre – jo tuajën. Ki kujdes.


Virgjëresha
Vazhdoni me detyrat që keni nisur tashmë. Tani nuk është koha për të filluar diçka të re. Besimi juaj është i lartë dhe emocionalisht ndiheni mirë, por në përgjithësi, aktualisht nuk keni gjykimin e duhur. Mos bëni lëvizje të mëdha në këtë kohë.


Peshorja
Je në prag të një përparimi të madh në karrierën tënde. Mos e prish këtë mundësi të mrekullueshme duke u nxituar. Jo gjithçka është gati ende. Ki durim. Sot është një kohë e mirë për të reflektuar mbi të kaluarën dhe për të mbajtur shënime mendore.


Akrepi
Një ndryshim shumë pozitiv është në ajër, me shumë mundësi bëhet fjalë për situatën tuaj familjare. Ndoshta ju dhe partneri juaj po mendoni të zhvendoseni në një shtëpi të re, ose të blini ose shisni pronën tuaj. Mund ta çoni këtë vendim një hap më tej tani.


Shigjetari
Do ta gjesh veten duke ëndërruar me sy hapur. Lëre mendjen të lirë. Fantazitë e tua janë shumë të vlefshme – ato do të të ndihmojnë të hapësh rrugën drejt hapit tjetër në karrierën tënde.


Bricjapi
Mos e nënshkruaj kontratën ende. Mos i thuaj po marrëveshjes që po të ofrohet tani. Mendo plotësisht për pasojat. Nëse angazhohesh tani, do të gjendesh në një situatë shumë të vështirë më vonë.


Ujori
Kthehuni pas në kohë dhe pyeteni veten se çfarë keni arritur. A i keni përmbushur qëllimet që i keni vënë vetes? Ndoshta nuk keni vendosur asnjë qëllim. Vlerësoni situatën tani në mënyrë që të përgatiteni për të ardhmen.


Peshqit
Bëhuni gati! Thyeni barrierën që ju ka shqetësuar në marrëdhënien tuaj. Nëse ju dhe partneri juaj mendoni se ia vlen të vazhdoni, atëherë mund të kërkohet një përpjekje për të kapërcyer këtë vështirësi, por me vendosmëri çdo gjë është e mundur.