syntax error, unexpected '<', expecting end of file

6 zyrtarë të LSI drejt prangave, Meta kërcënon SPAK se do mbledhë popullin nëse arrestohen

Gjashtë bashkëpuntorë të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, pjesë e korrupsionit 2013-2017, po hetohen nga SPAK dhe disa prej tyre mund të arrestohen para zgjedhjeve të 25 prillit.

Ish-kryebashkiakja e Gjirokastrës Zamira Rami dhe ish-kryetarja e Bashkisë së Përrenjasit Miranda Rira, që të dyja bashkëpuntore të Monika Kryemadhit, po hetohen për shpërdorim detyre. Drejtori i Ilir Metës tek Patentat, Ylli Spahiu, po hetohet nga SPAK për një dosje të zezë aferash tek Patentat, një qendër e madhe korrupsioni e LSI. Në këtë skandal është përfshirë edhe vëllai i tij, Përparim Spahiu, ish-deputet i LSI-së, të cilit Meta dhe Monika i kanë besuar fushatën në Tiranë. Dy vëllezërit kanë përdorur pasurinë publike për interesa të tyre.

E hapur është edhe dosja skandaloze e byzylykëve me autorë Petrit Vasilin dhe Ylli Manjanin, ku janë vjedhur 2.3 miliardë lekë. Manjani dhe Vasili kanë bërë tenderin për byzylykët elektronikë për mbikqyrjen e të dënuarve kur ishin në krye të Ministrisë së Drejtësisë, por kompania që ka marrë paratë nuk ka sjellë produktin. Vasili dhe Manjani kanë shpëtuar deri më sot pasi drejtësia ka qenë e kapur nga politika. Në çdo vend normal, përgjegjësit e një afere të tillë flagrante, do ndëshkoheshin.

Nga ana tjetër, nuk është më sekret as plani për nisjen e një hetimi për pasurinë e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, produkt i pastrimit të parave të pista. Dyshja ka deklaruar një pasuri me vlerë mbi 10 milionë euro, pa llogaritur pasurinë e fshehur, ku si të ardhura të ligjshme kanë vetëm dy paga shteti. Në këto rrethana, duke ndier ngushtimin e lakut dhe presionin në rritje të Perëndimit për goditjen e korrupsionit në nivele të larta, Ilir Meta doli edhe një herë dje nga ‘strofulla’ e Presidencës duke kërcënuar me destabilizim nëse banda e tij do goditet nga SPAK. Meta kërcënoi hapur SPAK dhe SHBA,-BE se është gati të mbledhë popullin si në 2 mars 2020, kur bashkë me Sali Berishën, mblodhën njerëzit e tyre në oborrin e Presidencës si presion ndaj SHBA-BE për të marrë një garanci se nuk do të preken nga SPAK.

Disa ditë pas këtij mitingu, gjoja për të rrëzuar Ramën, Meta u takua me këtë të fundit dhe Bashën në një resort në Golem, ku bënë një plan për të sabotuar refomën në drejtësi. Pas këtij takimi, Ilir Meta publikoi një plan me disa pika konkrete për të sabotuar Vetingun, SPAK dhe organet e tjera. Fillimisht, Edi Rama heshti. Por, kur ambasadorja amerikane denoncoi publikisht marrëveshjen e fshehtë si një thikë pas shpine, Rama e braktisi planin që kishte gatuar me Metën në Golem.

Pas një viti, Ilir Meta vijon të kërkojë garanci si dhe të kërcënojë.
“Unë jam Presidenti, ushtari i parë i Republikës dhe student i dhjetorit. Kam shumë respekt për policinë, ju kam dalë për zot kur janë sulmuar. Ata janë për të shërbyer, jo për të bërë grup horrash që bëjnë një evazion të frikshëm. Në 2 mars i kurseva edhe një herë më duhet ta thërras popullin, të mos më detyrojnë! Unë i ftoj të gjithë në votime, vota nuk vlen as sa një dele dhe as sa një lopë. Kërkoj referendum se nuk janë zgjedhje normale këto”, tha Meta. /Pamfleti