/Amerikanët shtojnë PRESlONET për moskandidimin e Berishës, ish-kreu i PD në fije të perit, Basha këmbënguI që të pensionohet

Amerikanët shtojnë PRESlONET për moskandidimin e Berishës, ish-kreu i PD në fije të perit, Basha këmbënguI që të pensionohet

Çdo ditë që kalon, vihet akoma më shumë në pikëpyetje rikandidimi i ish-kryeministrit Sali Berisha në zgjedhjet e 25 prillit. Basha nuk po bën publike strategjinë si do të shkohet në zgjedhje, ndërsa nga ana tjetër mister është lista e kandidatëve që do të përfaqësojnë PD.

Por ajo që bie në sy, është se ka një luftë të fortë në prapaskenë për të mos futur Berishën në listën e kandidatëve. Ish-ministri Genc Ruli, të martën në mbrëmje dha një mesazh tjetër të fortë në drejtim të Sali Berishës, duke thënë se ai e ka mbyllur tashmë kapitullin politik dhe nuk ka pse të jetë më deputet. Kjo ishte deklarata e tij e tretë, çka do të thotë shumë.

Ruli dikur vërtet ka qenë ministër i Berishës, por mes tyre diçka është thyer dhe Ruli është pozicionuar krah Bashës. Por qëndrimet e Rulit, duket se janë mesazhe edhe të SHBA dhe të vet Lulzim Bashës.

Ruli ka marrëdhënie të mira me amerikanët. Ai dikur ka pasur Institutin e Studimeve Bashkëkohore, një institut i financuar nga USAID dhe nga Fondacioni Soros.

Pra raportet e Rulit me amerikanët janë shumë të forta. Nga ana tjetër ai është afruar ndjeshëm me Lulzim Bashën, çka konfirmon se qëndrimet e tij në media nuk janë dhe aq rastësore. Paralajmërimet e tij ndaj Berishës tregojnë qartë se amerikanët nuk e duan më ish-kryeministrin në politikë, duke vënë në pozitë të vështirë Lulzim Bashën. Berisha është kritiku më i madh i reformës në drejtësi dhe akuzuesi më i madh i ambasadës amerikane, sidomos ndaj ish-ambasadorit Donald Lu. Këto qëndrime bënë që ai të mos marrë vizë dhe të mos e kalojë dot Atlantikun. Rikthimi i tij në Parlament mund të jetë kërcënim për shumë reforma dhe amerikanët nuk e duan më në politikën aktive, duke ia bërë të qartë përmes Rulit.

Lëvizjet në PD

Vetë Sali Berisha ka dhënë sinjale se mund të mos rikandidojë më. Basha është ai i cili ndodhet në një situatë të vështirë. Vetë kreu i PD nuk e përjashton dot Berishën nga listat pasi rrezikon të ketë krisje të madhe në PD. Berisha ka shumë njerëz pas tij si në bazë ashtu dhe në qendër dhe përjashtimi i tij siç ndodhi me Topallin, Patozin, Imamin e shumë të tjerë do krijonte përplasje.

Prandaj ish-kryeministrit po i dërgohen mesazhe që të dorëhiqet në një farë mënyre. Pra po i bëhet e qartë se e mira është që ai të mos kandidojë në këto zgjedhje, por mund të shpallet president nderi a diçka tjetër në PD. Vetë Berisha ka folur shumë në media, ku gjithmonë ka deklaruar se e ka sekret vendin se ku do të kandidojë. Fakti që nuk e tregon do të thotë se dhe ai vetë nuk është i sigurt. Nga ana tjetër, Basha ndodhet në një situatë të vështirë, pasi prezenca e Berishës në PD mund të kthehet në bumerang.

Vetë Ruli e tha hapur të martën se Berisha mund ta dëmtojë Bashën në misionin për të përmbysur Ramën. Që të vijë PD në pushtet duhet padyshim të rrëmbejë elektoratin gri. Pra atë elektorat që është asnjanës dhe vendos jo mbi bazë interesi, por përmes një gjykimi të ftohtë. Mirëpo Berisha nuk gëzon popullaritet në vend. Të vetmit që e duan janë demokratët e flaktë, por vota e tyre nuk mjafton. Pra duket qartë se deklarata e Rulit janë mesazhe të qarta për Berishën se ka ardhur koha që ai të shijojë pensionin.