/Ardit Gjebrea kujton aktoren e ‘Pinokut’: ‘Lutem që e ngjëjt të të japin atë që në Tokë nuk e pate’

Ardit Gjebrea kujton aktoren e ‘Pinokut’: ‘Lutem që e ngjëjt të të japin atë që në Tokë nuk e pate’

Përmes një pjate me fruta dhe ëmbëlsira, Ardit Gjebrea përkujtoi sot aktoren e nd.jerë Eva Pëllumbi. “Kjo ishte pjata e fundit që ndamë bashkë dhe që ti u lumturove aq shumë nga dashuria që more, por që më shumë na e dhe, siç ke bërë gjithë jetën. Nuk mund ta besoj që sot nuk je më dhe lutem që engjëjt të të japin atë që në Tokë nuk e pate dot,” shkruan Gjebrea për aktoren ikonë të filmave vizatimorë.

Përpos pjesëmarrjes në filma si “Kapedani” apo “Vajzat me kordele të kuqe”, Eva Pëllumbi u angazhua në Teatrin e Kukullave dhe rolet e saj në “Pinoku”, “Ndodhitë e Çufos” apo “Ku festohej një ditëlindje” shënjuan fëmijërinë e vogëlushëve të viteve ’80. Nëse në ditët e sotme personazhi i preferuar është Elsa e “Frozen”, dikur ishte aktorja që mbante mbërthyer fëmijët me rolet e saj.

Eva Pëllumbi u nda nga jeta katër ditë më parë, në Gjermani, ku jetonte që pas viteve 1990. Për ironi të fatit, ndonëse rolet e saj kujtohen ende me nostalgji nga gjithë brezi i katër dekadave më parë, ajo nuk mori vlerësimin që meritonte në kohën kur ishte aktive në kinematografi.

Në një intervistë për Sot.com.al, një vit më parë, aktorja foli për rolet e saj në Teatrin e Kukullave dhe mosvlerësimin nga institucionet.

“Por unë në ‘90 kam ikur se më kishte munguar dhe vlerësimi nga institucionet shqiptare për punën time ato vite. Unë isha e harruar nga institucionet e asaj kohe, por jo nga populli. Që kur kam filluar të punoj nuk kam marrë asgjë, qoftë dhe një fletë lavdërimi nga institucionet në kohën e komunizmit, por kam marrë vlerësimin nga populli.”

Përsa i përket rolit të Pinokut, aktorja e nd.jerë e cilësoi si “majën e karrierës së saj”.

“Pinoku ka qenë maja për mua. Vetë figura e Pinokut u jep diçka fëmijëve. Më bënte përshtypje ato vite kur nënat vinin në teatër dhe më thonin: Eva takoje pak fëmijën tim, sepse me ty ha dhe fle. Ishin momente shumë të bukura dhe emocionuese për mua si aktore që bëra Pinokun. Mua më zgjodhën menjëherë atë kohë për rolin, sepse dhe me shtat isha e shkurtër dhe përshtatesha. Atë kohë në shfaqje unë punova si me çdo punë tjetër në role, por me Pinokun kam shtuar dhe vetë shumë gjëra për personazhin. Kur më pyesin pas kaq vitesh, di të them që Pinoku u bë. Prindërit ato vite kishin lexuar dhe Pinoku ishte një figurë ndërkombëtare e njohur, mirëpo mua më ngjiti si rol, isha shtatshkurtër, e shkathët, kërceja dhe bëja lëvizjet sipas rolit.”