“Armiku” i Berishës sot në Tiranë, ja dosjet e “nxehta” që do hapen

    0
    310

    Izet Haxhia, ish truproja i Sali Berishës, do të ekstradohet sot nga Turqia.

    Lapsi.al mëson se oficerët e policisë shqiptare ndodhen tashmë në Turqi për të marrë Haxhinë, i cili akuzohet për vrasjen e Azem Hajdarit.

    Disa ditë më parë Izet Haxhia u vetëdorëzua në policinë turke, me qëllim që të niste procedura e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.

    Lajmin e vetëdorëzimit ai e njoftoi përmes faqes në Facebook.

    Izet Haxhia u arrestua në vitin 2006 në Turqi, por drejtësia turke nuk ishte shprehur ende për ekstradimin e tij, ndonëse pala shqiptare kishte bërë kerkesa të vazhdueshme në kohën kur në pushtet ishte Sali Berisha.

    Për 12 vjet me radhë gjykata turke kishte urdhëruar thjesht që ai të mos largohej jashtë vendit, ndërsa në shkurt të këtij viti befas u mor vendimi që ai të ekstradohet.

    Izet Haxhia është dënuar nga gjykata shqiptare me 25 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit, akuzë të cilën ai nuk e ka pranuar kurrë.

    Ekstradimi i tij në Shqipëri mund të çojë në hapjen e dosjes ‘Hajdari’.

    Pak ditë pas vetëdorëzimit tek autoritetet turke, Haxhia ka zgjedhur në Shqipëri avokatin Fran Dashi, i cili do të mbrojë interesat e tij gjatë dhe pas ekstradimit.

    Sipas avokatit, Haxhia do të rigjykohet dhe dosja “Hajdari” do të rihapet.

    Ai gjithashtu shprehu bindjen se klienti i tij është i pafajshëm, dhe se pikërisht për këtë arsye kërkon një proces të rregullt ligjor, ndryshe nga ai i disa viteve më parë.