/Arrestimet e SPAK, Meta suImon drejtësinë: E kapur nga Rama, nuk e besoj

Arrestimet e SPAK, Meta suImon drejtësinë: E kapur nga Rama, nuk e besoj

Arrestimet e bujshme të Prokurorisë së Posaçme duket se i kanë prishur entuziazmin presidentit Ilir Meta. Edhe pse aksioni i SPAK për arrestimin e gjyqtares së Krujës u vlerësua nga ndërkombëtarët, për Metën nuk ishte edhe aq i rëndësishëm.

Në një intervistë për “Ora News”, mbrëmjen e djeshme, Meta sulmoi sistemin e drejtësisë duke thënë se ai është i kapur nga qeveria. Kujtojmë që arrestimet e SPAK dhe ecuria e Reformës në Drejtësi është vlerësuar nga ambasadorja Yuri Kim dhe ndërkombëtarët.

“Unë nuk shpresoj që kjo drejtësi do të veprojë, sepse janë tërë ato padi që kanë shkuar. Nuk pres që të ndodhë ndonjë mrekulli me një drejtësi që është nën kontrollin e sekretarit të këshillit të ministrave që është edhe hartuesi i gjithë akteve të qeverisë për kapjen e shteti, dhe koncesionet, si edhe për biznesin e ri të arbitrazheve, ku dëmtohen qytetarët shqiptarë. Unë besoj se 25 prilli dhe vota e shqiptarëve do të sjellin edhe drejtësinë. Unë i kam qëndruar dhe i qëndroj asaj reforme në drejtësi asaj reforme që imponova me 140 vota, por sot nuk është ajo reformë, por është Ramaformë në shërbim të tij. Prandaj nuk veprohet dhe prandaj qeveria është kaq arrogante”, tha Meta.