Bëjnë sherr me Monikën, LSI drejt shkrirjes, 5 deputetë do t’i bashkohen PS-së

    0
    328

    PS-ja po i “rrëmben” këshilltarët bashkiakë në disa qytete, ndërsa kohët e fundit largimet pritet të zbresin edhe në rang deputetësh. Që pas largimit të Ilir Metës nga posti i kryetarit, kjo parti ka nisur të rrudhet, ndërsa humbja e pushtetit dhe kalimi në opozitë ka bërë që shumë militantë të LSI t’i hedhin sytë drejt partive të tjera.

    E përveç këshilltarëve bashkiakë, LSI po humb edhe deputetët e saj. Pak ditë më parë gazeta “SOT” deklaroi se brenda partisë së Kryemadhit kishin nisur përplasjet me kryetaren e partisë dhe për këtë arsye dy deputetë po planifikonin t’i bashkëngjiteshin Partisë Socialiste. Por gazeta ka mësuar se përveç këtyre dy deputetëve, janë edhe 3 emra të tjerë të cilët janë distancuar nga Monika Kryemadhi dhe po mendojnë të ndjekin të njëjtën rrugë si kolegët e tyre.

    E pra, pritet që në ditët në vijim nga “gjiri” i LSI të largohen plot 5 deputetë, duke zgjeruar kështu furtunën e largimeve nga kjo parti. Në rast se një gjë e tillë ndodh, atëherë Partia Socialiste do të forconte pozitat e saj në Parlament, duke rritur numrin e deputetëve.

    Aktualisht partia qeveritare ka 74 deputetë dhe bashkë me pesë nga LSI do të shkojë në 79. Ndërkohë, kujtojmë që fuqizimi i PS vijon edhe më tej sepse janë edhe 3 deputetë të PDIU që janë rreshtuar krah Edi Ramës, duke e çuar kështu në 81 numrin total të deputetëve.

    Sipas “Sot” vlen të theksohet fakti se partia e Ilir Metës po shkon drejt shpërbërjes. Për sa kohë ajo ishte në pushtet, shumë njerëz iu bashkuan sepse e shihnin si mundësi punësimi. Por kryeministri Edi Rama kryefjalë të fushatës së tij për zgjedhjet e 25 qershorit 2017 kishte reformën në administratën publike dhe spastrimet e militantëve të LSI. Pas kësaj, kanë ndodhur me qindra largime në radhët e LSI, teksa tani duket se kanë arritur deri në nivel deputetësh. Një burim i tha gazetës se momentalisht i vetmi deputet besnik i Monika Kryemadhit është Petrit Vasili.