“Berisha është i dështυar!”/ Sρartak NgjeΙa: Protesta e oρozitës, për t’i treguar forcën amerikanëve, i druhet ekstradimit

Protesta e thirrur nga Sali Berisha ishte për t’i dhënë mesazh amerikanëve se ka forcë pasi i druhet ekstradimit se është i shpallur ‘non grata’ dhe përballet me akuza të rënda. Kështu tha avokati Spartak Ngjela, duke shtuar se numri i protestuesve nuk ishte aq i lartë pasi nuk arrinin as te Ura e Lanës.

“Berisha është i dështuar, por Edi Rama e do”, ka thënë avokati, duke lënë të kuptohet se me Doktorin dhe Metën në opozitë, Rama nuk zbret kurrë nga pushteti. Sipas Ngjelës, kryeministri flet kundër Berishës vetëm se detyrohet nga ndërkombëtarët.

“Ju mendoni se mund të vijë në pushtet në një vend ku 97% të shqiptarëve janë pro amerikanë? Me 33 mijë vota do vijë? Është i dështuar. Nuk e ka hallin te votat. Ai kërkon t’i thojë amerikanëve që ka forcë e të mos shkojë më tutje se i druhet ekstradimit. Të shohim si do të vijojë. Edi Rama vjen me vota të shqiptarëve, jo të amerikanëve. Edi Rama e do Saliun, ju e keni parë. Edhe herën e fundit që foli kundër Saliut, e detyrua ndërkombëtarët se nuk donte.

Ekzistenca e Saliut i jep votat atij, e shkatërroi PD, e ndau në 2 pjesë. Po të kishte ikur që në 2013 do ishte ndryshe historia e Shqipërisë sot në funksion të së djathtës. Ndërkohë protestuesit nuk arrinin as te Ura e Lanës. Kalova aty”, tha Ngjela për Report Tv.

I ndalur tek fjalimi i Berishës para protestuesve, Ngjela tha se ai nuk do të arrijë askund me fjalë fyese dhe e krahasoi me Enver Hoxhën.

“Këta kujtojnë se fitojnë me fjalë fyese? Nuk bën burri i shtetit fjalime të atilla. Edhe Rama në të njëjtën mënyrë. Cfarë nuk tha. Komplet si Enver Hoxha. Kundërshtarët e tij ose do ishin hajdutë ose vrasës”, tha Ngjela.

Berisha dhe Meta mblodhën mijëra njerëz për të protestuar kundër regjimit të Edi Ramës mbrëmjen e djeshme. Nga podiumi i vendosur para Kryeministrisë, dyshja opozitare kërkuan burgosjen e kreut të qeverisë Edi Rama, për grabitjen e shqiptarëve dhe nxitjen e largimit të tyre jashtë shtetit. Simbolika për emigrimin masiv të shqiptarëve, ishte një gomone me vete.