Çfarë i sheh syri ia bën dora/ Pensionisti e ktheu moçalishten në një oaz plot gjallëri

0
343

Pasioni për natyrën ka bërë që një moçalishte të shndërrohej në një oaz e vërtetë nga pensionisti Ilir Zgjuni.

Ilir Zgjuni jeton në fshatin Adriatik, ku pjesën më të madhe të kohës e kalon duke luajtur domino e duke bërë muhabet me bashkëmoshatarët e tij. Por Ilirit i pëlqen shumë edhe të punojë, ku një moçalishte e ka kthyer në një minipark fantastik falë pasionit dhe punës së tij të palodhur.

Iliri ka punuar një jetë të tërë si mekanik në ish-NBMamurras dhe punëve të fshatit nuk u është ndarë asnjëherë.

Prej 15 vitesh, ai dhe familja e tij kanë preferuar të jetojnë afër detit, duke ndërtuar një shtëpi banimi në fshatin Adriatik, zonë e cila ishtë e tëra mbuluar me shkurre, ferra e kallamishte, një moçal i tërë, ku diku afro 1.5 km tutje, më poshtë, ndodhet plazhi i Gotullës, mjaft i frekuentuar më parë në shumë pushues të ardhur dhe nga Tirana, por që mungesa e investimeve dhe e përkujdesjes nga institucionet e degraduan atë duke e kthyer në vendgrumbillimi mbeturinash të ardhura nga gjithandej.

Iliri me plot pasion do të ndërtonte këtë minipark mjaft të rrallë duke mbjellë pemë të ndryshme drufrutorë dhe dekorativ, pasi më parë ai do të pastronte të gjithë zonën, që rrallëkush mund ta mendojë se dora e njeriut do të shndërronte nga një moçal në një perlë me mrekulli natyrore.

Iliri tregon për sakrificën e madhe dhe punën e kryer për ndërtimin e këtij parku që tashmë është në vëmendjen e dikastereve që menaxhojnë zonat e mbrojtura, të cilat janë habitur me investimin e një pensionisti.

Disa ditë më parë, drejtori i Zonave të Mbrojtura në Qarkun e Lezhës, Pjetër Toni me administratën e tij do të vizitonin parkun e Ilirit duke e krahasuar atë me Lagunën e Vainit, një tjetër perlë e njohur ndër vite për mrekullitë e saj natyrore.

Ai nuk ngurron të falenderojë pensionistin Ilir Zgjuni për investimin e kryer në pyllëzimin e një zone moçali duke e krahasuar këtë njeri me një hero.
Kjo zonë është bërë e njohur dhe nga disa turistë çekë dhe britanikë, që sapo u informuan në rrugë të ndryshme, ia bëhen menjëherë aty për të shikuar gjithçka ka bërë Iliri.

Janë pra me dhjetra pemë dhe drufrutorë të mbjella duke e mbuluar sipërfaqen nga gjelbërimi, një panoramë magjepse e shoqëruar dhe nga cicërimat e zogjve. Sakaq, një mori shpendësh mbarshtrohen nga pensionisti i cili përkujdeset për ta.

Jashtë përkujdesit nuk kanë mbetur as bunkerët e dikurshëm të komunizmit, që Iliri me ca ndërhyrje, ia ka bërë më të pranueshëm për syrin.