Kanë mbërritur në Detin e Kinës dy luftëanije ku do të kryejnë një stërvitje të përbashkët. Theksojmë se kjo zonë është një nga pikat e nxehta mes Kinës, fqinjëve të saj dhe amerikanëve.
Lajmin e bëri të ditër marina amerikane e cila tha se dy luftëanijet ‘Theodore Roosevelt’ dhe ‘Nimitz’ kishin kryer një stërvitje të përbashkët ushtarake e cila synonte rritjen e ndërveprimit si dhe aftësimin e mëtejshëm të komandës dhe kontrollit’.
Ndërkohë nga ana tjetër ministria e Jashtë kineze e konsideroi si një ‘shfaqje të forcës’ stërvitjen e marinës amerikane në atë zonë.
“Lëvizjet e shpeshta dhe anijet luftarake dhe avionët amerikanë në Detin e Kinës Jugore tregojnë ‘forcën amerikane’ e cila është e pafavorshme për paqen dhe stabilitetin rajonal”
“Kina do të vazhdojë të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin dhe sigurinë kombëtare dhe të punojë me vendet në rajon për të mbrojtur në mënyrë të vendosur paqen dhe stabilitetin në Detin e Kinës Jugore,” tha Wang Wenbin.
Ushtrimi i forcave ushtarake amerikane vjen disa ditë pasi Kina dënoi lundrimin e “destrojerit” amerikan John McCain pranë Ishujve Paracel, të cilët kontrollohen nga Kinezët. Kjo zonë ka një rëndësi të madhe për tregtinë ndërkombëtare, përmes së cilës kalojnë rreth 5.3 trilionë dollarë mallra.
Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë pretendimet territoriale të Kinës në rajon, duke e akuzuar atë për militarizimin e Detit të Kinës Jugore dhe përpjekjen për të frikësuar fqinjët si Malajzia, Filipinet dhe Vietnamin.
Ky është misioni i parë që ndërmerret nga marina amerikane që kur Presidenti Joe Biden mori detyrën.