Del zbuIuar plani, 1 ditë pas zhbllokimit të Rinasit zbarkojnë në Tiranë ushtarët amerikanë, ja si SHBA rrëzoi puçin e interesave ruse
Del zbuluar skenari se bllokimi i aeroportit të Rinasit kishte si qëllim pengimin e stërvitjes ushtarake të NATO. Kryeministri Rama drejtoi gishtin nga presidenti, ndërsa në mesazhet e kontrollove del qartë se ka pasur rol dhe kreu i shtetit.
Por dyshimet janë se loja ka qenë për të penguar zbarkimin e ushtrisë amerikane. Gazeta e tha dhe më herë se dyshimet e ambasadës amerikane dhe të NATO kanë qenë se kjo mund të ketë qenë lojë e interesave ruse kundër stërvitjes “Defender 21”. Ajo që e bën dhe më bindëse këtë gjë është se të shtunën në Tiranë erdhën një grup ushtarësh amerikanë, që do të merren me stërvitjen e ushtrisë shqiptare dhe përgatitjen e saj për “Defender 21”. Zbarkimi i tyre erdhi një ditë pas stabilizimit të fluturimeve në Rinas.
Gazeta ka mësuar se plani ishte që ata të vinin të enjten ose të premten dhe bllokimi i fluturimeve e shtyu për të shtunën mbërritjen e tyre. Pra kushdo që krijoi “puçin” në Rinas e ka ditur se në Tiranë do të vinin ushtarët amerikanë. Lajmi për mbërritjen e tyre të shtunën e dha ambasada amerikane. Ndërkohë duhet theksuar se në Rinas ata i priti vetë ambasadorja Yuri Kim duke dhënë një tjetër mesazh të fortë me prezencën e saj në pistë.
“Ambasadorja Yuri Kim mirëpret ushtarët amerikanë nga Garda Kombëtare e New Jersey, të cilët mbërritën sot në Tiranë. Ata do të ndihmojnë Shqipërinë në përgatitjen për të marrë dy helikopterë UH-60A Blackhawk nga Shtetet e Bashkuara dhe gjithashtu do të kryejnë trajnime për të përgatitur Forcat e Armatosura Shqiptare për stërvitjen Defender 21”, – thekson ambasada e SHBA.
Roli i NATO dhe SHBA
Burime të sigurta të gazetës në Ministrinë e Mbrojtjes bënë me dije se pas pezullimit të fluturimeve në Rinas, ka pasur valë telefonatash nga ambasada amerikane dhe nga vetë NATO, pasi një ngjarje e tillë i ka shqetësuar jashtë mase. Mësohet se ata kanë kërkuar të dinë për stërvitjen “Defender 21” dhe dyshimet kanë qenë pikërisht se mund të ketë qenë plan për të sabotuar këtë ngjarje kaq të rëndësishme. Ndërkohë ambasada amerikane ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në zhbllokimin e situatës.
Ajo ka kontaktuar personalisht me disa prej kontrollorëve duke i bindur që ata të kthehen në punë. Po ashtu presioni amerikan dhe i NATO detyroi qeverinë që të marrë kontrollorë jashtë vendit. Ndërkohë mësohet se po bëhen hetime të forta nga ana e prokurorisë për të zbuluar se ku është zanafilla e kësaj ngjarje. Ndërkohë edhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë po heton paralelisht mbi dyshimet se në këtë mes fshihen interesa ruse.
Stërvitja “Defender Europe 21”
“Defender-Europe 21” është një stërvitje e madhe ushtarake shumëkombëshe e udhëhequr nga Ushtria Amerikane në Europë dhe Afrikë, e krijuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë strategjike dhe operacionale midis aleatëve dhe partnerëve të SHBA dhe NATO. Duke u mbështetur në suksesin e vitit të kaluar, “Defender-Europe 21” përfshin një numër më të madh të aleatëve dhe partnerëve të NATO-s që zbatojnë aktivitete në një zonë më të gjerë sesa ishte planifikuar në 2020. Mbi 30,000 forca shumëkombëshe nga 27 vende do të kryejnë operacione në mbi 30 zona trajnimi në më shumë se dhjetë vende pothuajse njëkohësisht.
Stërvitja do të zhvillohet në periudhën 26 prill-20 qershor 2021 në territorin e Shqipërisë dhe në këtë stërvitje do të angazhohen 3.100 trupa nga vendet anëtare të NATO-s dhe vende të tjera aleate, 10 anije, 18 avionë, 19 helikopterë, 6 sisteme raketash patriot dhe 1.000 automjete joluftarake. Në stërvitje do të marrin pjesë forca nga Shqipëria, Turqia, SHBA-ja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kanadaja, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia dhe vende të tjera.