Një grup gazetarësh, përfaqësuesish ndërkombëtarë dhe avokatësh penalistë po përgatit dosjet për veprimtarinë e zezë të Ilir Metës për t’i dorëzuar në Byronë Kombëtare të Hetimit, dosja e parë i përket pazarit me pasaportat
Ilir Meta, njeriu që fshihet pas aferave më të rënda korruptive në historinë e pluralizmit shqiptar, do të jetë prova e parë e madhe për skuadrën e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila po trajnohet nga amerikanët, sipas programeve dhe moduleve të trajnimit të njerëzve të FBI-së.
Ndërsa SPAK me në krye Arben Krajën vijon të mos japë deri më sot ende asnjë shenjë për të hetimin e sagës së krimeve të Ilir Metës, skuadra e parë me 28 hetues të FBI-së shqiptare, sapo të kthehet nga trajnimi dhe të nisë zyrtarisht punën, do të përballet me dosjen e parë të Ilir Metës.
Në një kohë kur kokat e politikës shqiptare vijojnë të jenë të bashkuar, për t’u mbrojtur nga drejtësia dhe për t’u ricikluar në pushtet, një grup gazetarësh, përfaqësuesish ndërkombëtarë, avokatësh penalistë, personazhe me ndikim publik etj., kanë nisur të kopsitin dosjen e parë të Ilir Metës, për ta paraqitur sa më shpejt në Byronë Kombëtare të Hetimit.
Dosja e parë do të përfshijë skandalin e Presidentit me dhënien e shtetësisë, ku deri më tani, jashtë çdo dyshimi, ka konsumuar të paktën disa vepra penale, atë të shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit me pasoja të rënda dhe cënimit të sigurisë kombëtare.
Ilir Meta ka firmosur mbi 400 nënshtetësi në emër të interesit kombëtar, alibi kjo e përdorur, për të bërë pazare, duke pajisur me pasaporta shqiptare personazhe të botës së krimit dhe korrupsionit, pa plotësuar asnjë kriter ligjor.
Duke fabrikuar dhe falsifikuar dokumente, Meta ka dhënë shtetësi në emër të interesit kombëtar, në shkelje flagrante të ligjit dhe procedurave, brenda disa orëve, pa kryer verifikimet që kërkon ligji.
Shumica e personave që kanë fituar shtetësinë shqiptare në shmangie të ligjit nga Ilir Meta, në emër të interesit madhor kombëtar dhe si personalitete të kombit, në fakt janë vrasës të shumëfishtë, trafikantë, drogaxhinj, përdhunues, hajdutë ordinerë, dashnore politikanësh etj.
Të gjitha faktet mbërthejnë Ilir Metën, duke e vendosur Byronë e Hetimit para provës së parë, për të shembur murin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Por, dosja e pazarit të pasaportave, nuk do të jetë e vetmja.
Grupi i personazheve në fjalë do të përgatisë një tjetër dosje për pasurinë e Ilir Metës, krijuar me para të pista. Me paratë e ligjshme që ka deklaruar Ilir Meta bashkë me Monika Kryemadhin, që janë vetëm paga shteti, nuk mbulon dot as shpenzimet për festimin e datëlindjeve të Monikës.
Ilir Meta ka një pasuri të deklaruar mbi 10 milionë USD, të cilën në letra e bazon vetëm në një kredi prej 5 milionë lekë. Vetëm në Shqipëri drejtësia nuk ka vepruar deri më sot para këtij fakti ulëritës.
Ndërsa SPAK nuk ka nisur ende hetimet kryesisht, Byroja e Hetimit do të ketë para një dosje të pasurisë së paligjshme të Ilir Metës. Në vijim, pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të përgatiten dhe paraqiten, 50 dosje të tjera, për veprimtarinë kriminale të Ilir Metës nga viti 1990 kur hyri një politikë dhe deri në ditët e fundit./Pamfleti