Sot pritet të nisë vaksinimi masiv në vend. Vetë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në një dalje nga sheshi ‘Skënderbej”, tha se ka nisur përgatitja, në mënyrë që sot të jetë ngritur qendra e vaksinimit për Tiranën. Për datën dhe orën që duhet të dinë qytetarët, Manasstirliu tha se ky informacion do të jepet nga mjekët e familjes.
Manastirliu tha më tej se në qendër të Tiranë, do të jenë të ngritura dy çadra me dy dhomëza, ku dhe do të jenë të sistemuara vendet e regjistrimit, bashkë me postacionet ku do të bëhet monitorimi. Sipas Manastirliut, në ndihmë të infermierëve do të jetë edhe stafi i FA-së.
“Mjeku i familjes do tu japë të gjitha detajet, për orën dhe datën që do të vaksinoheni. Do të kemi dy ndarje, dy dhoma, dy çadra. Do jenë dhjetë pika të regjistrimit dhe vendet post-vaksinimi kur do të qëndrojnë të gjithë ata që injektohen, për tu monitoruar. Do të punojmë gjithë natën për ta bërë gati me të gjitha materialet që duhen. Do të jenë edhe ambientet e ruajtjes së vaksinave dhe ekipi i vaksinatorëve është i trajnuar, nga nesër do të kemi në mbështetje edhe mjekë dhe infermierë të FA që do jenë në ndihmë të ekipeve të vaksinuesve,”– tha Manastirliu.
Deri më tani në vendin tonë janë vaksinuar afro 57 mijë qytetarë, ku është finalizuar imunizimi i bluzave të bardha, dhe po vazhdon vaksinimi i të moshuarve, mësuesve dhe pedagogëve. Shqipëria po merr aktualisht sasi të vogla vaksine nga Pfizer, me të cilin marrëveshja është për 500 mijë doza.
Në vendin tonë ka mbërritur edhe ngarkesa nga AstraZeneca, ndërsa pak ditë më parë u morën edhe 10 mijë doza të vaksinës ruse Sputnik V. Dy ditë më parë kanë mbërritur 192 mijë doza të tjera vaksina kineze nga Turqia, nga ku kryeministri Edi Rama deklaroi se ka siguruar 1.2 milionë doza. Pas një telefonate me Ursula Von Der Leyen, kryeministri Rama tha se shumë shpejt pritet që në rajon të vijnë 651 mijë doza të Pfizer, por ende nuk dihet sa merr Shqipëria.