/Forca Ajrore e Ukrainës i bαshkohet hetimit, raketa që u rrëzua në Ρoloni dγshohet se është e saj

Forca Ajrore e Ukrainës i bαshkohet hetimit, raketa që u rrëzua në Ρoloni dγshohet se është e saj

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se do të “bëjnë gjithçka” për të lehtësuar një hetim mbi sulmin raketor në Poloni të martën, i cili vrau dy persona pranë kufirit me Ukrainën. “Ajo që ndodhi ishte që Forcat e Mbrojtjes Ajrore zmbrapsnin sulmin ajror”, u shpreh Yurii Ihnat.

“Ajo që ndodhi më pas – nëse ishte një raketë ruse, apo këto ishin rrënojat e të dy raketave që ranë – kjo duhet të inspektohet në vend. Dhe kjo është ajo që po ndodh tani”, tha zëdhënës i Komandës së Forcave Ajrore në Ukrainë.

“Duhet të bëhet një vlerësim ligjor”, shtoi Ihnat. “Procesi është në vazhdim, ekspertët janë duke punuar. Është e nevojshme të përcaktohet se cilat rrënoja raketore ishin këto, nuk mendoj se do të ishte shumë e vështirë.”

Komentet vijnë pasi Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sistemi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës është përgjegjës për sulmin, duke i quajtur pohimet që fajësojnë raketat ruse, “një provokim të qëllimshëm me qëllim përshkallëzimin e situatës”.

Presidenti polak Andrzej Duda ka thënë se raketa që goditi vendin e tij të martën ishte “ndoshta një aksident” nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.

“Nuk ka asnjë tregues se ky ishte një sulm i qëllimshëm ndaj Polonisë. Me shumë mundësi, ishte një raketë S-300 e prodhuar nga Rusia. Ne nuk kemi asnjë provë për momentin që ishte një raketë e lëshuar nga pala ruse”, shkroi ai në Twitter të mërkurën.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se hetimet e hershme sugjerojnë se sulmi ishte “ndoshta” i shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase.

“Analiza jonë paraprake sugjeron se incidenti ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga raketa e mbrojtjes ajrore ukrainase e lëshuar për të mbrojtur territorin ukrainas kundër sulmeve me raketa ruse”, tha Stoltenberg gjatë një konference për shtyp të mërkurën në Bruksel.