Fordi 57-vjeçar i aktorit korçar, rrëfen pasionin për makinat (Video)

Të gjithë e njohin Zhani Ziçishtin, si aktor në më shumë se 30 filma të vjetër shqiptarë, por jo të gjithë e dinë se sot hobi i tij janë makinat e vjetra.

Kjo makinë 57 vjeçare është një Ford i 1965, e cila është ende në punë falë dëshirës së Zhanit.

Pasionin për makinat e vjetra e ka të trashëguar nga babai, i cili i kërkonte të bëhej inxhinier mekanik.

“Pasioni lindi pasi ai dëshiron të bëhesha inxhinier dhe ja plotësova dëshirën. Mamaja deshi të bëhesha aktor, ja plotësova dhe asaj. Herë andej e herë këtej. Tani merrem me makinën”, u shpreh Ziçishti.

Ai tregon se çdo pjesë të makinës e rregullon vetë, pasi nuk ka besim tek mekanikët në Shqipëri.

“Merrem vet sigurisht, si ta le tjetrin, ata me shumë kanë kuriozitet t’i prekin gjërat. Vetë i bëj, një gjë që unë e mësoj nuk e le tjetrin të ma tregojë, atë që unë e di, atë që se di mundohem ta kuptoj”, u shpreh ai.

Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij, të cilët nuk janë aktive, ai shprehet se mban veten gjallë me këtë hobi.

“Kafene ore, çdo bëjnë ata. Unë e ve ne lëvizje natyrën time, më ka hyrë si të thuash ajo gjëja që unë duhet të bëj diçka, të mos rri, ata rrinë, pinë bëhen tapë, pinë cigare, raki. Unë nuk bëj kështu. Mendjen time e kam të fjetur për të bërë diçka dhe kur e arrij atëherë kënaqem shpirtërisht”, u shpreh ai më tej.

Ka pasur shumë persona që janë interesuar për ta blerë makinën e Ziçishtit, por për aktorin vetura e vjetër është pjesë e jetës së tij dhe nuk këmbehet me para, ndërsa kërkon tua lërë trashëgimi nipërve.

“Kam pasur shumë mesazhe, shumë njerëz që duan ta blejnë, por unë nuk e shes këtë makinë. Kjo është një makinë e thjeshtë, që unë kënaqem. Unë nuk bëj kurse me makinë si këta të sotmit. Kur iki Greqi me kalojnë me Benz-a me 140-200 km në orë, e me thërrasin “o qerre me motor”, ikni u them se ashtu e keni punën ju”, tregon ai më tej.

Në rrugët e kalldrëmta të Korçës dhe jo vetëm, sytë e njerëzve e ndjekin këtë makinë të vjetër me kërshëri, ku brenda saj, ndodhet shpirti artistik dhe punëtor i një aktori të madh si Zani Ziçishti.