Ilir Meta dhe Agron Kuliçi zhdukën Belegun, ish këshilltarin e Priftit. Berisha e Basha të përzier, familja pas 8 vitesh kërkon të shpallet i vdekur

    0
    764

    Kur kanë kaluar më shumë se 8 vite nga zhdukja e tij pa lënë asnjë gjurmë, Eduart Belegu, njeriu më i besuar i dy ish-ministrave të Ekonomisë, Dritan Prifti dhe Genc Ruli, kërkohet të shpallet i vdekur.

    Kërkesa e drejtpërdrejtë vjen nga bashkëshortja e tij, Ilirjana Belegu, nënë e tre fëmijëve, që ka dërguar kërkesën e saj për bashkëshortin e zhdukur.

    “Shtetasja Ilirjana Belegu, e datëlindjes 2.7.1969, kërkon pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor. Tiranë, shpalljen të vdekur të shtetasit Eduart Belegu, i datëlindjes 21.2.1963.” thuhet në njoftimin botuar në Fletoren Zyrtare.

    Belegu, ish-këshilltari i Ministrisë së Ekonomisë, i arrestuar me bujë dhe i zhdukur në rrethana tepër të paqarta, rezultonte person i zhdukur me vendim gjykate, që prej vitit 2014.

    Por tashmë, me kërkesë të bashkëshortes pritet që ish-zyrtari i lartë të shpallet person i vdekur. Familjarët e tij nuk kanë asnjë informacion nga ai që prej muajit mars të vitit 2010.

    Belegu, ish-administrator i kompanisë së minierave “Darfo” dhe ish-këshilltar i ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti u zhduk në mars të vitit 2010, një muaj pas lirimit të tij nga qelia ku u mbajt për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën.

    Belegu që u arrestua teksa mbante detyrën e këshilltarit të ministrit të Ekonomisë, u pa për herë të fundit në zonën pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, pranë ish-fushës së aviacionit në Tiranë.

    Ditën e zhdukjes, Belegu kishte planifikuar një takim me një biznesmen për një punë borxhi, por pas takimit u zhduk në mënyrë të befasishme.

    Ai kishte shkuar me automjetin e tij tip “Range Rover” pranë vendit të takimit dhe pasi kishte përfunduar bisedën, dyshohet të jetë rrëmbyer nga katër persona të panjohur.

    Të paktën ky është versioni që jep dëshmitari okular në këtë ngjarje, ai që pa për herë të fundit Eduard Belegun. Por nga hetimet nuk u zbulua asgjë.

    Të dyshimta janë edhe mesazhet e fundit të dërguara prej tij: “Po më shqetësojnë prapë për ato problemet e vjetra”, “…mendoj të largohem disa ditë…”, janë dy mesazhet misterioze të Eduart Belegut që nuk kanë mundur të deshifrohen nga policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, që prej zhdukjes së tij më 23 mars 2010.

    Këto mesazhe janë dërguar në adresë të vëllait të Belegut, Gëzim Belegu. Ky i fundit pasi është njohur me tekstin, është munduar të lidhet me të vëllanë, ndërsa telefoni i Belegut, rezultonte i mbyllur.

    Por tjetër mendim ka pasur ish-ministri i Ekonomise Dritan Prifti ku pak dite pas largimit nga posti akuzoi policinë, doganat dhe tatimet se janë të gjitha të implikuara në kontrabandë nafte.

    Për këtë kontrabande ai përmendi me emër zv.drejtorin e policisë së shteti të asaj kohe njëherësh dhe ish badigardin e Berishës, Agron Kuliçajn.

    Por Prifti ka shkuar edhe më tej duke e akuzuar Kuliçin edhe për zhdukjen e ish-këshilltarit te tij Eduard Belegu. Madje ka përmendur dhe Ilir Metën, si të implikuar.

    “Agron Kuliçi është një person për të cilin unë dyshoj për shumë mëkate disa prej të cilave ia kam thënë Berishës me kohë.

    Kurse keshilltari im Eduard Belegu është arrestuar me bujë pa shkak të perligjur dhe për të më kërcënuar mua si ministër. Tani Belegu është zhdukur dhe Agron Kuliçi duhet të thotë ku është Belegu”, ka deklaruar Dritan Prifti në atë kohë.

    Nderkohë që Ministri i Brendshem i asaj kohe, sot kryetar i PD Lulzim Basha ka deklaruar se po hetohet për akuzat e bëra në adresë të zevëndesdrejtorit të Policise Agron Kuliçit.

    Por punonjësit e policisë që po kryenin hetimin në atë kohë e kanëe përgënjeshtruar teksa thanë se nuk janë duke hetuar zv.drejtorin e përgjithshëm tyre por fenomenin në tërësi.

    “Rasti Belegu, nëse hetohet deri në fund, pra zhdukja e ish këshilltarit tim, mund të jetë mbase një nga hetimet e shekullit në këtë vend.

    Belgu nuk është larguar në asnjë vend tjetër, siç është varianti i policisë. Policia edhe sot u thotë familjareve të tij: na thoni se ku ka shkuar Belegu.

    Prokuroria dhe policia nuk e kanë marrë asnjëherë seriozisht denoncimin tim për zhdukjen e Belegut, se ai është i zhdukur nga të tjerë dhe jo vetë.

    Mua më vjen shumë keq që drejtësia nuk ka vepruar, por edhe media ka dhënë një kontribut shumë të vogël për këtë.

    Edhe në videon e shfaqur Meta e përmend Belgun. Ai kishte kohë që më kërkonte largimin e Belegut”, deklaronte në atë kohë ish ministri i LSI.

    Por në atë kohë dhe PS i ka bërë thirrje prokurorisë të hetonte zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, për rrëmbimin e këshilltarit Eduard Belegu, një akuzë e ngritur nga ish ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti.

    Duke iu referuar thirrjes së ish kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit kuvendor të PD-së që kjo çështje të hetohej, deputeti socialist, Besnik Baraj deklaroi se kërkesa e kreut të qeverisë ishte tërësisht qesharake, pasi sipas tij “Kuliçaj duhet të hetojë Kuliçaj”.

    Deputeti Baraj deklaroi në atë kohë se ish ministri Prifti ka deklaruar se këshilltari i tij, Eduard Belegu nuk është larguar, por është zhdukur nga ata, që po përgatitej të akuzonte për kontrabandën e naftës Virxhin, pasi sipas ish ministrit Prifti, “Belegu ishte familjar shembullor, andaj atë e kanë zhdukur”.

    Deputeti Baraj ka cituar akuzat e ish ministrit Prifti ku deklaronte se “Agron Kuliçaj është një person, për të cilin unë dyshoj për shumë mëkate, disa prej të cilave ia kam thënë Berishës me kohë.

    Kurse këshilltari im, Eduard Belegu është arrestuar me bujë, pa shkak të përligjur, dhe për të më kërcënuar mua si ministër. Tani Belegu është zhdukur dhe Agron Kuliçaj duhet të thotë ku është Belegu”.

    Sipas ish ministrit të Ekonomisë, “Belegu po përgatitej të denonconte Policinë dhe Prokurorinë për arrestimin e tij të kotë, dhe papritur u zhduk. Emri i Kuliçajt më del në kontrabandën mafioze të naftës Virxhin, por edhe në disa veprime mafioze të tjera.

    Berisha duhet të distancohet nga ky ish-bodyguard, duke e pezulluar nga detyra dhe t’ia japë drejtësisë ta hetojë, pa mburojën e pushtetit, që ka në polici.

    Prokuroria, jo SHKB duhet ta hetojnë”, u shpreh Prifti në atë kohë, pas shkarkimit nga detyra e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.

    Sipas ish ministrit, “Për të realizuar gjërat për të cilat unë dyshoj, Kuliçaj duhet të ketë në thes të paktën dy ministra”.

    Pra sipas deklaratave dhe akuzave të ish ministrit të ndjerë Dritan Prifti edhe Berisha ka qënë në dijeni në atë kohë për denoncimet që do të bënte Belegu por dhe për zhdukjen e tij.

    Ndërkohë që në atë kohë socialistët kërkuan hetimin e Kuliçajt, ndërsa sot nuk ka asnjë kërkesë për rigjenerimin e këtij hetimi tek organi i akuzës.

    Pavarësisht se socialistët ka gati 5 vite që janë në pushtet, por dhe se ish kryeprokurori Adriatik Llalla që bllokonte dosjet kundër Berishës, Metës dhe bashkëpuntorëve të tyre jo vetëm që ka ikur por është dhe nën hetim penal.