Korçë zbulohet vendbanimi 6 mijë vjet para Krishtit

    0
    863

    Në zonën e Korçës janë zhvilluar jo pak gërmime arkeologjike, të cilat kanë sjellë zbulime të rëndësishme.

    Më i fundit i bërë në këtë zonë, është zbulimi i vendbanimit të Vashtmisë, i cili sipas arkeologëve daton 6000 vjet para Krishtit.

    Për arkeologët të cilët kanë kryer punime në këtë zonë, ky vendbanim i hershëm mbetet një prej zonave më interesante sa i takon gjetjeve që dëshmojnë gjurmët e jetës në këtë zonë.

    Nuk ka qenë një punë e paktë për të zbuluar historinë që ka ky vendbanim i hershëm në zonën e Korçës.

    Tashme prej tre fushatash ekspedita shqiptare-amerikane ka arritur të nxjerrë në dritë vegla prej kocke, guri, stralli dhe gjurmë të shtrojeve të kasolleve, që asaj kohe përdoreshin për banesa të cilat datojnë 8.500 vjet para.

    Arkeologët kanë gjetur gjithashtu gjatë gërmimeve në këtë zonë arkeologjike edhe mbetje të enëve në qeramikë dhe objekte të tjera të cilat japin detaje mbi jetën e banoreve në këtë periudhë.

    Drejtuesit e ekspeditës kanë vlerësuar si mjaft të rëndësishme zbulimet, pasi sipas tyre Vashtmia konsiderohet si vendbanimi më i hershëm në Shqipëri. Sipas arkeologut të njohur prof. Ilir Gjipali, ky vendbanim ka një sipërfaqe prej afro pesë dynymësh dhe konsiderohet si një prej më të rëndësishmëve në vend.

    “ E veçanta është sepse është një ndër vendbanimet më të hershme në Shqipëri, por edhe krahasuar me të tjera vendbanime në Korçë. Kemi me të bëjmë me një vendbanim më të hershëm në Shqipëri të neolitit të hershëm”, tregon arkeologu Ilir Gjipali.

    Ndonëse qyteti i Korçës është themeluar V-VI shekujt e fundit, zona e Korçës është një nga vendet e Evropës Jug-Lindore që është banuar më herët.

    Gërmimet ndër vite kanë nxjerrë në dritë varre dhe fortifikime ilire. Zona e Korçës e ndodhur në kufi me Mbretërinë Ilire dhe Epirin është banuar që nga mijëvjeçari i katërt p.e.s. Epoka e Bakrit zgjati nga mijëvjeçari i tretë deri në mijëvjeçarin e dytë p.e.s.

    Deri në vitin 650 p.e.s. fushëgropa e Korçës udhëhiqej nga një dinasti e Mbretërisë ilire, ndërkohë pas vitit 650 u udhëhoq nga një dinasti Kaone.

    Gjatë kësaj periudhe zona banohej më së shumti nga fise Kaone dhe Molose. Gërmimet arkeologjike rreth qytetit të Korçës kanë zbuluar një qivur të shekullit II e.s., i cili tregon të gdhendur figurën e dy farkëtarëve ilirë duke punuar hekurin në kudhër. Vlen të përmendet Tuma e Kamenicës, fakt që tregon banimin e kësaj zone në epokën e bakrit.

    /Agjensia e Lajmeve Sot News/