/Kushtet kur vendi shkon drejt koalicionit të madh pas 25 prillit

Kushtet kur vendi shkon drejt koalicionit të madh pas 25 prillit

Dalja thuajse e përditshme e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim që kërkon pa u lodhur “pastrimin e listave”, nuk është fare retorikë.

Aq më shumë që zonja Kim është një diplomate, profesion ku retorika është totalisht e ndaluar gjatë orarit të punës.

Aksioni i saj gati invaziv nuk është tjetër veç plan i qartë i qeverisë që Yuri Kim përfaqëson: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Uashingtoni dhe Brukseli, duket se kanë një plan, por edhe një action plan, pra strategji dhe taktikë për të vepruar në Shqipëri, pas miratimit dhe nisjes së zbatimit të Reformës në Drejtësi.

Në mungesë të një partneri efiçent dhe të besueshëm për të zbatuar planin e nisur që në vitin 2016, SHBA dhe BE duket po shtyjnë vetë arritjen e qëllimeve që kanë miratimin e shumicës së qytarëve shqiptarë, të çdo pjese politike.

Rifutja në sistem e opozitës së Lulzim Bashës nga ana e SHBA e BE, pas djegies së mandateve, natyrisht që është një lëvizje më e gjerë se të bëjë të mundur rikthimin në Kuvend të përfaqësuesve të PD-së.

Ashtu siç në Shqipëri ka parti e media që bëjnë sondazhe e studime në vend, ndërkombëtarët këto dijnë t’i bëjnë më mirë dhe i kanë pjesë të punës së përditshme.

Uashingtoni duket se qartësisht kërkon nga një qeveri e re e vendit, një stabilitet dhe mbështetje të një aksioni që pritet të aktivizohet nga SPAK për të hapur sezonin e “gjuetisë së Peshqve të Mëdhenj”.

Dalja e Donald Lu-së nga Kirgistani i largët për ta kujtuar këtë pjesë, nuk përbënte aspak rastësi.

Shkoqur, SHBA-së e BE-së nuk i duhet një situatë pas 2017-s, ku pas fitores së Edi Ramës, do të kemi sërish një stinë përplasjeje në vend, ku ka shumë gjasa që të përsëritet bojkoti dhe lufta e hapur me polarizim maksimal.

Ndërkombëtarët duket parapëlqejnë një stinë detante, një kohë të qetë me stabilitet politik dhe me një pakt sa më të gjerë që të sigurojë operacionet e SPAK.

Dhe natyrisht këtë plan, ata nuk se e kanë në hava, por të mbështetur edhe në realitetin konkret të vendit.

Një realitet që ka një panoramë mjaft të qartë para zgjedhjeve të 25 prillit. Kemi të bëjmë me një ndjesi të gjerë popullore pakënaqësie ndaj qeverisë së Edi Ramës. Por nga ana tjetër, kjo ndjesi nuk se premton një qeverisje që do ta marrë dhe do ta ketë në kontroll kjo opozitë, aq më shumë që një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj opozite kërkon rikthimin në “vitin zero” përsa i përket reformës në Drejtësi dhe planeve të ndërkombëtarëve.

Po cilat janë kushtet që mund të sigurojnë një detante, një paqe të qartë që do të çojë në një koalicion të madh, sipas gjasave pa Edi Ramën e Lulzim Bashën në krye të qeverisë, ose të dy në një qeveri “bashkëkryetarësh”.

Kushti kryesor që duket mund ta ushqejë këtë mundësi është që LSI-ja e Ilir Metës të mos jetë një kyç në formimin e qeverisë se re.

Sipas gjasave, ndërkombëtarët po punojnë për një rezultat që të sjellë dy grupe të mëdha parlamentare nga PD e PS, por që asnjëri të mos ketë mundësinë të qeverisë i vetëm. E si imperativë të dalë koalicioni i madh. Një formulë mund të jetë e tillë, çka edhe po konfigurohet në qarqet diplomatike në Tiranë. Ku PS të marrë 67 deputetë, PD të marrë 64, që bëjnë 134 deputetë , 6 të marrë LSI-ja dhe 3 partitë e reja.

Basha me gjashtë deputetët e LSI-së nuk do ta bënte dot qeverinë, po ashtu as me partitë e reja, ndërkohë që Edi Rama është i ndaluar që të bëjë koalicion me Ilir Metën, përkundrazi do të nisë një sulm që do ta shkatërrojë përfundimisht politikisht.

Ky skenar shikohet mjaft i mundshëm, pasi sipas të gjitha llogaritjeve edhe optimiste të PS-së, shkojnë te 67 deputetë, ndërkohë PD-ja po avancon fort në humbjet që ka pësuar mazhoranca, sidomos në qarqe si Durresi e Tirana, ku vendoset gjithçka.

Në Tiranë, PS nuk shkon dot më shumë se 18 deputetë, e nëse ndodh kjo ka marrë gjysmën tjetër opozita. Ku LSI-ja sipas gjasave maksimumi merr 3 e normalisht 2. Në Durrës PD-ja është në krye në të gjithë sondazhet serioze, ndërkohë që në veri Basha është në avancë në Shkodër, Dibër, Lezhe e Kukës. Ndaj lufta po bëhet në Elbasan ku PD kërkon të shkojë tek barazimi 7 me 7 dhe në Vlorë, ku Basha synon të marrë numrin 4 si në 2013-n. E nëse ndodh kjo atëherë skenari 67 me 64 është mëse i mundshëm dhe ky është rezultati tipik dhe aritmetik që do të imponojë një koalicion të madh mes PS-së dhe PD-së. Version politik që shikohet si më i mundshmi dhe më adekuati nga ndërkombëtarët. Ndaj edhe irritimi i Edi Ramës po rritet progresivisht nga dita në ditë, dhe ka arritur derisa të sulmojë edhe komisionerët e Bashkimit Europian. Të cilët kanë dalë publikisht me Lulzim Bashën këto ditë. Që në fakt tregon ekzaktësisht planin që Yuri Kim e përsërit ditë për ditë…/Pamfleti