Fluturimet direkte nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe anasjelltas janë bllokuar prej muajsh.
Por, duke nisur nga data 5 prill, Greqia do të hapë të gjitha aeroportet e vendit për fluturimet e Rinasit.
Njoftimi është dhënë Autoriteti i Aviacionit Civil grek, që ka përditësuar masat kufizuese duke hequr kufizimet për fluturimet me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë.
Përmes një komunikate publike, ky autoritet thotë se duke filluar prej së hënës së 5 prillit të gjitha fluturimet nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që deri më tani kishin si portë të hapur vetëm aeroportin “Eleftheros Venizelos” të Athinës, mund të përdorin çdo aeroport tjetër të vendit. E njëjta masë është marrë edhe me Turqinë, ku fluturimet janë plotësisht të bllokuara.
“Udhëzimet për pezullimin e fluturimeve me Turqinë dhe për uljet e fluturimeve nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut vetëm në aeroportin e Athinës nuk do të zgjaten”, thuhet në deklaratën e Autoritetit grek të Aviacionit Civil.