Lajm i mirë për qytetarët, nga 1 qershori ndryshojnë ofertat e celularëve

    0
    293

    Nga data 1 Qershor kompanitë celulare janë të detyruar të kthejnë ofertat në 30 ditë nga 28 ditë që janë aktualisht, të paktën Telecom Albania dhe Vodafone, pasi Albtelecom e ofron këtë paketë prej datës 10 Prill të këtij viti.

    Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në mbledhjen e fundit (24.04.2018) ka miratuar si më poshtë:

    “Kohëzgjatja e vlefshmërisë së paketave tarifore celulare standard bundle me parapagim nga 28 ditë të jetë mujore(30 dite). 3. Detyrimin e sipërmarrësve e komunikimeve elektronike Vodafone Albania dhe Telekom Albania që duke filluar nga data 1 qershor 2018 të rikthimit të vlefshmërisë së paketave standarde bundle të shërbimit celular me parapagim nga 28 ditë në mujore (30 ditore).”

    Ky vendim është marrë bazuar në përputhje me kërkesat ligjore të përcaktuara në nenin 53 të ligjit nr. 9918/2008.

    ”Brenda këtij konteksti ligjor dhe rregullator, duhet që afati i paketave tarifore standarde (bundle) me parapagim të ofruara nga operatorët e shërbimeve mobile Albtelecom, Telekom Albania dhe Vodafone Albania, të përputhet dhe të garantojë zbatimin e afatit të faturimit mujor kalendarik dhe jo 28 ditor, siç dhe është aplikuar. Sipërmarrësit duhet të garantojnë trajtimin e barabartë të pajtimtarëve kundrejt rregullave të përcaktuara ligjërisht për faturimin, si dhe të krijojnë mundësinë e aplikimit të tarifave për shërbimet publike të komunikimeve elektronike”, thuhet në njoftimin e AKEP.

    Ndryshimet e paketave nga 30 në 28 ditë nga të tre kompanitë e sipërpërmendura janë bërë në periudhën prill – mars 2016. Ndryshime këto të arsyetuara për AKEP nga liria ekonomike që gëzojnë kompanitë apo edhe mungesa e kufizimeve rregullatore për përcaktimin e ofertave që ofrojnë.

    Autoriteti i Konkurrencës ka zhvilluar një procedurë hetimore në përfundim të së cilës Komisioni i Konkurrencës ka vlerësuar se ndryshimi i kohëzgjatjes së paketave standarde nga 30 ditë në 28 ditë bën që konsumatori të faturohet rreth 13 muaj në vit në vend të 12 muajve, duke çuar në një rritje vjetore prej rreth 6.5% të buxhetit të shpenzuar nga konsumatori për këtë shërbim.

    “Gjithashtu, KK ka vlerësuar se praktika e ndryshimit në kohëzgjatjen e paketave standarde nga 30 ditë në 28 ditë mund të prekë dhe tregje të tjera në fushën e telekomunikacionit si p.sh. interneti, telefonia fikse, paketat televizive, etj., gjë e cila do të shkaktonte probleme në terma të transparencës dhe krahasueshmërisë së informacionit për pajtimtarët e tyre në lidhje me tarifat e aplikuara për shërbimet e ofruara nga operatorët në sektorin e telekomunikacionit”.

    Nga ana tjetër AKEP vëren se ndryshimi i faturimit nga 30 ditore në 28 ditore ka sjellë efekt financiar tek përdoruesit të cilët kryejnë rimbushje në mënyrë të vazhdueshme përgjatë periudhës vjetore, pa përjashtuar edhe efektet që mund të shkaktohen tek përdoruesit e tjerë të shërbimeve me parapagesë të këtyre paketave.

    “Mbi këtë bazë, në rastin e aplikimit të kohëzgjatjes 30 ditore të shërbimit të ofruar nëpërmjet paketave bundle me parapagesë, përdoruesi faturohet rreth 12.17 periudha në vit (365/30), ndërsa në rastin e faturimit 28 ditor, përdoruesit do të faturohet 13.04 periudha në vit (365/28), çka sjell një rritje të periudhës së faturimit me 7.14%. Po të marrim si shembull rimbushjen e një pakete shërbimi bundle me vlerë 1,000 lekë, nëse në rastin e faturimit 30 ditor përdoruesi do të paguante 12,167 lekë në vit, me ndryshimin e ri tashmë ai do të faturohet 13,075 lekë në vit, pra rreth 869 lekë më shumë”.

    Sipërmarrësit Vodafone Albania dhe Telekom Albania duhet të njoftojnë pajtimtarët për ndryshimin e paketave standarde nga 28 dite në mujore (30 ditore) të paktën 15 dite para hyrjes në fuqi të paketave standarde mujore. Sipas AKEP në asnjë nga vendet e rajonin nuk aplikohet tarifa me kohëzgjatje 28 ditore.