Lume raketash gjatë natës, Irani godet për herë të parë Izraelin

    0
    276

    Forcat iraniane kanë lëshuar natën e 9 majit 20 raketa nga Siria në drejtim të pozicioneve ushtarake izraelite, në Lartësitë e Golanit.

    Kjo është hera e parë që Tehrani sulmon në mënyrë direkte Izraelin.

    Si kundërpërgjigje, Izraeli lëshoi me dhjetëra raketa ndaj pozicioneve iraniane në Siri, të cilat goditën një stacion radarësh, pozicionet e mbrojtjes ajrore dhe një depo armatimesh.

    Sulmi është bërë i ditur nga ushtria izraelite, ndërkohë që, Organizata britanike “Syrian Observatory for Human Rights” tha se bombardimet e Izraelit vranë të paktën 23 ushtarë, përfshi sirianët dhe jo-sirianët.

    Izraeli tha se raketat iraniane u rrëzuan nga sistemi i mbrojtjes ajrore “Iron Dome”, duke pretenduar se sulmi u ndërmor nga forcat “Quds”, një ushtri e jashtme e Gardës Revolucionare iraniane.

    Shkëmbimi i zjarrit mbërriti brenda më pak se një dite pasi presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e 2015-s me Iranin, që ia kishte lehtësuar sanksionet ndaj Tehranit në këmbim të ndërprerjes së programit të tij bërthamor.

    s.a/dita