Lajme

Merr fυnd aleanca PD-LSI, Ilir Meta akuzοn Bashën dhe Ramën për shkrίrjen e LSI-së, bΙenë kοmisionerët e Monikës

Thellohet konflikti mes dyshes Meta-Kryemadhi dhe Lulzim Bashës, plasin akuzat për tradhti dhe sabotim, Meta pretendon se PD-PS kanë blerë komisionerët e LSI duke nxjerrë të pavlefshme votat

Humbja e zgjedhjeve të 25 prillit 2021 ka përfshirë opozitën në një vorbull konflikti dhe furi akuzash për sabotim, tradhti, dështim dhe komplote.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë nisur të akuzojnë Lulzim Bashën se fshihet pas zhdukjes së bandës së tyre në zgjedhjet e 25 prillit, duke e fshirë nga harta elektorale në 9 qarqe, në bashkëpunim me Edi Ramën.

Nga ana tjetër, njerëz pranë Lulzim Bashës akuzojnë LSI-në si përgjegjëse kryesore për humbjen, pasi mori vetëm 4 mandate nga 19 të tillë që mori në zgjedhjet e 2017. Fillimisht ishte Monika Kryemadhi, që akuzoi në mënyrë të tërthortë Bashën se ka bashkëpunuar me oligarkët dhe Ramën për të asgjësuar LSI-në në zgjedhje. Dje Ilir Meta doli në një konferencë për shtyp, ku i tronditur për asgjësimin e bandës së tij partiake, akuzoi në mënyrë të tërthortë Lulzim Bashën për krim elektoral kundër LSI-së.

Ilir Meta ngriti dyshime se pas 83 mijë votave të pavlefshme, fshihet një krim elektoral. Meta kërkoi rinumërim dhe ekspertizë të këtyre votave. Akuza i adresohet Lulzim Bashës, pasi komisionet zgjedhore, që nga qendrat e votimit deri tek grupet e numërimit të votave, kontrollohen nga Basha dhe Rama. Në këto komisione, Meta dhe Monika kanë nga një anëtar. Dhe nëse votat janë bërë të pavlefshme nga komisionerët, një krim i tillë nuk mund të bëhet pa blerjen e komisionerit të LSI-së. Kujtojmë se disa orë para ditës së votimit, Ilir Meta urdhëroi zëvendësimin e komisionerëve të LSI në disa zona, pas dyshimeve se janë blerë nga Rama dhe Basha, për të sabotuar partinë e tij në këto zgjedhje. Lista e re e Metës me komisionerë habiti edhe KQZ-në, e cila kishte trajnuar komisionerët për administrimin e zgjedhjeve.

Por, Meta dhe Monika kanë edhe pretendime të tjera, pasi akuzojnë jo publikisht Bashën për bashkëpunim me Ramën për të shkrirë LSI.

Gjatë fushatës elektorale, Meta i dha disa mesazhe Lulzim Bashës.

“Të gjitha sondazhet pa përjashtim janë të blera nga Edi Rama. Opozita mbi 90 mandate. Po të dojë të shesë opozita mandatet e saj le t’i shesë, por s’ka për ta lënë Ilir Meta as këtë gjë”, tha Presidenti duke aluduar për një pazar mes Bashës dhe Ramës.

Në fakt, ashtu ndodhi. Në zgjedhjet e 25 prillit 2021 u aplikua pakti Rama-Basha për asgjësimin e LSI-së dhe ndarjen e votave të saj. Dhe rezultati nuk lë vend për dyshime. LSI-ja humbi rreth 120 mijë vota, PD-ja u rrit me 160 mijë vota dhe gjithashtu PS-ja u rrit me disa mijëra vota./Pamfleti