Momenti kur fotoreporteri kosovar sulmohet nga huliganët serbë (Video)

    0
    286

    Gjatë tërë ditës së djeshme ekipi i “Indeksonline” ka raportuar LIVE nga veriu i Kosovës rreth aksionit të Policisë së Kosovës për arrestimin e ministrit serb Marko Gjuriq.

    Raportimi nga veriu i Kosovës gjithmonë ka qenë një sfidë për gazetarët shqiptarë pasi që ata shpesh janë sulmuar dhe dhunuar fizikisht nga protestues dhe huliganë serbë, madje edhe në prezencë të autoriteteve të sigurisë atje.

    Mirëpo, edhe përkundër kësaj ekipi i indeksonline është futur dje në veri të vendit duke raportuar minutë pas minute ngjarjet e jashtëzakonshme që ndodhen dje në veri. duke pasur parasysh se qëllimi i gazetarit është informimi sa më i saktë dhe në kohë i opinionit publik të vetëdijshëm edhe për rreziqet që bartë.

    Gjatë kohës sa ishte duke intervenuar Policia e Kosovës, reporterët e Indeksonline Blerim Uka dhe Jeton Sopa janë sulmuar nga huliganët serbë. Ata kanë kapur kameramanin Jeton Sopa dhe e kanë futur në një rrugicë për ta rrahur, mirëpo falë gjeturisë së tij duke u paraqitur si gazetar i huaj ai ka arritur të iu ikë huliganëve serbë në momentin që ata ia kishin marrë me dhunë portofolin për ta identifikuar.

    Sopa duke u futur nëpër disa oborre të shtëpive ka arritur të dal në lagjen e Boshnjakëve ku iu ka bërë thirrje policisë për të intervenuar për t’i dalë në ndihmë fotografit Blerim Uka, mirëpo policia fillimisht kishte hezituar të ndërhyjë.

    Për më shumë shihni pamjet dramatike se si serbët sulmojnë dhe rrahin brutalisht me shkopinj fotoreporterin Blerim Uka dhe intervenimin e kolegut të tij Jeton Sopa për ta shpëtuar.

    Ndryshe, ekipit të “Indeksonline” i është thyer aparati dhe pajisjet tjera të cilat kushtojnë mbi 3 mijë euro.