/Negociatat/ Gjermania shpall datën, ja kur Bundestag-u jep vendimin për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

Negociatat/ Gjermania shpall datën, ja kur Bundestag-u jep vendimin për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

BERLIN- 26 shtatori është data kur Deputetët e Gjermanisë do të vendosin për ‘votën’ e tyre për sa i përket hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian.

Ky propozim është bërë nga grupi parlamentar i CDU dhe SPD. Në rendin e debatit në mbledhjen që do të nisi të enjten është parashikuar që diskutimet të zgjasin për rreth 40 minuta. Dy propozimet e grupeve parlamentare të koalicionit CDU/CSU dhe SPD janë për “marrëveshje të Bundestagut dhe Qeverisë Federale” për aplikimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Pas votimit në Bundestag, kancelarja gjermane Angela Merkel në samitin e 18 tetorit në Bruksel do të paraqesë vendimin e Berlinit zyrtar. Gjermania dhe Holanda janë dy vendet e vetme të Bashkimit Europian të cilat vendosin për nisjen e bisedimeve me Shqipërinë në Parlamentet Kombëtare dhe jo në qeveri.

Kujtojmë se dy ditë më parë Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla pas takimit që zhvilloi me Sekretarin e Shtetit Parlamentar te Gjermanisë, Christian Lange tha se vota e Social Demokratëve në Gjermani SPD është pro Shqipërisë ndërsa më 24 shtator do të shprehet edhe CDU/CSU.