Lajme

Ngjarja në Elbasan, vràsja me prapavijë të qartë poIitike, Shqipëria rrezikon destabiIizimin

Pjerin Xhuvani, ish-kryetar i LSI-së në Elbasan, i bashkuar më pas me PS-në, është vrarë me armë zjarri ditën e sotme në lagjen ‘5 maji’ në këtë qytet. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2 të mbasdites.

Xhuvani, mjek psikiatër është ekzekutuar pas një përplasje mes militantëve të PS dhe të PD.

Dyshohet se shkak i ekzekutimit është bërë një debat, pasi disa përfaqësues të partive politike ishin duke shpërndarë para në këmbim të votës.

Mes 4 të plagosurve është dhe një studente në forcat ‘Shqiponja’ të Elbasanit, Xhensila Sota si dhe dhëndri i Xhuvanit, i cili ndodhet në gjendje të rëndë.

Emri i Xhuvanit është përmendur dhe gjatë incidentit të ndodhur me 14 mars, ku Dita e Verës u kthye në një shesh përleshjeje mes mbështetësve të kryedemokratit Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama.

Vrasësi është Arber Papleka, një ish-oficer i RENEA-s dhe një nga shoqëruesit e demokratit Gazment Bardhi, i cili është konfliktuar me policët dhe ka qëlluar në turmë. 34-vjeçari i lindur në Tropojë, kishte ardhur në qytetin e Elbasanit për të kontribuar në fushatën elektorale të Partisë Demokratike.

Vrasësi është arrestuar nga policia. Edhe drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Gazemt Bardhi është shoqëruar në komisariatin e policisë.

Pas ekzekutimit, janë nisur urgjent drejt Elbasanit forcat RENEA, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj, drejtor i Policisë Kriminale.

Kjo nuk është ngjaja e parë kriminale që ndodh përpara zgjedhjeve të 25 prillit. Kujtojmë vrasjen e ‘Kumbarit’, shtetasit Bardhok Planaj, apo dhe ngjarjen e Kavajës të dy ditëve më parë.

Vendi ka hyrë në një spirale të rrezikshme, ku ngjarje kriminale me prapavija të forta politike rrezikojnë seriozisht të ardhmen dhe prosperitetin e vendit.

Njerëzit në Shqipëri vetëm 4 ditë para zgjedhjeve janë me sytë nga qielli dhe nga kontigjeni i NATO-s që ka zbarkuar në vend si shpresa e vetme. /PAMFLETI