“Njëri ρrej tγre mund të ishte shpëtuar”/ Nënë e bir hυmbën jetën, eksperti zbυΙon shkakun e aksidentit në Berat. Bashkia: Kangjellat janë vetëm…

Një 25-vjeçare dhe djali i saj që humbën jetën nga një aksident tragjik mesditën e së hënës u përcollën dje për në banesën e fundit. Klaudia dhe Samuel Xhaferaj gjetën vdekjen ndërsa mjeti i tyre përfundoi në ujërat e lumit Osum.

SHKAKU I AKSIDENTIT

Ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë dhanë një panoramë të pazakontë ku mjeti tip Ml del jashtë rruge dhe përfundon në lumë, ndërsa udhëtonte me shpejtësi të vogël, Policia lokale thotë se ngjarja ka ndodhur nga “pakujdesia e drejtimit të mjetit”.

Viktima kishte rreth 20 ditë që kishte marrë lejen e drejtimit, kohë e pamjaftueshme që ajo të menaxhonte situatën në të cilën u përball. Përpara se të përfundonte në lumë, 25-vjeçarja kishte bërë një parakalim të gabuar dhe pas këtij momenti, makina del nga rruga dhe përfundon në ujë.

Përpjekja për shpëtimin e tyre ka zgjatur rreth 30 minuta, por kjo ka qenë fatale për të renë dhe djalin e saj 6-vjeçar.

BASHKIA: KANGJELLAT, PËR KËMBËSORËT!

Gjatë ditës së djeshme, Bashkia e Beratit ka riparuar kangjellat mbrojtës të urës, të cilët u shkëputën lehtësisht pasi mjeti ML doli nga rruga dhe u përplas me to.

Një nga specialistët, punonjës i mirëmbajtjes në Bashkinë Berat, Kosta Angjeliu, tha se kangjellat janë vendosur për këmbësorët dhe jo për automjetet dhe se barrierat vendosen vetëm në rrugë nacionale.

“Unë në ndërtim kam 43 vjet punë. Janë thjesht kangjella, kjo nuk përballon rrugën nacionale, janë vetëm për këmbësorin. Janë të nevojshme, kjo nuk shërben barrierë për makinat. Mos duheshin më të fortë?

Jo, jo, këto janë normale, kështu bëhen. Barrierat bëhen kur nuk ka trotuar. Kjo pjesa më parë ka qenë me hekur, u bë me parmak betoni, pastaj koha evoluoi dhe u bë me këto që janë sot. Kanë funksion vetëm për këmbësorin, nuk është barrierë që mund të vendoset në një autostradë”, tha ai.

ÇFARË THOTË EKSPERTI

Eksperti i Sigurisë Rrugore, Artur Sulçe, thotë se barriera anësore e urës ishte jashtë standardeve, duke deklaruar se ajo duhet të mbante 40 tonë, por ra sapo e preku parakolpi. Sulçe deklaron se shpejtësia e automjetit ishte normale dhe se mund të ketë qenë ndonjë shpërqendrim i momentit nga ana e drejtueses.

“Ishte shpejtësi normale. Arsyeja e devijimit mund të ketë qenë se mund të ketë lëvizur fëmija, mendoj unë. Një element i rëndësishëm, pamë që elementet e sigurisë rrugore. Ai gardh duhej ta ruante mjetin. Shpejtësia ishte e ulët.

Nëse do të ishte brenda standardeve, nuk do ta kishim ngjarjen tragjike. Kjo është për konceptin tim. Për sa kohë ka njerëz të papërgjegjshëm, mund të ndodhin ngjarje edhe me të rënda. Sa e preku me cepin, iku i gjithë.

Kjo është cilësia, kjo është Shqipëria, kjo është Rilindja. Sikur e rrëzoi era. Ajo barrierë duhet të duronte 40 tonë. Sa e preku parakolpi, barriera ra”, tha eksperti për “TCH”