Procedohet penalisht hoxha në Tiranë që ngacmonte seksualisht pacientet, reagon KMSH

    0
    373

    Një ditë më parë emisioni “Stop” transmetoi skandalin e të ashtuquajturit hoxhë, Fatmir Lloçit, i cili me pretekstin e shërimit ngacmonte seksualisht gratë e vajzat që i shkonin në banesë.

    Sot Komisariati i Policisë Numër 2 në kryeqytet ka njoftuar nisjen e procedimit penal ndaj tij me akuzën e ngacmimit seksual, si dhe i ka kërkuar Televizionit Klan t’i vendosë në dispozicion të gjitha pamjet filmike dhe personat e përfshirë në këtë ngjarje si nevojë e hetimit, raporton “Tv Klan”.

    Gjithashtu ka reaguar edhe përfaqësuesi i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Ylli Gurra, i cili e quajti Lloçin hajdut të pafytyrë dhe i bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e abuzuesve që nuk kanë asgjë të përbashkët me fenë islame.

    “Ajo që dua të sqaroj është që të tillë persona ose abuzues nuk kanë aspak lidhje me të qenit hoxhë!

    Rasti i mbrëmshëm ka qenë një degjenerim apo një abuzim i mirëfilltë për gjithçka, i besimtarëve dhe qytetarëve.

    Nuk ka lidhje aspak e askund me fenë dhe profesionin fisnik të hoxhallarëve që shërbejnë kudo në Shqipëri.

    Unë iu bëj apel që të mos bini pre e këtyre abuzuesve të paskrupullt, të cilët për hir të 5 qindarka denigrojnë figurën e qytetarëve, që për arsye shëndetësore detyrohen të zenë dyert e këtyre e vjedhësve të pafytyrë!”, u shpreh Gurra.