Rama dhe Basha më 12 dhe 13 qershor spastrοjnë partitë, shkojnë drejt bαshkëpunimit në shtator me struktυra të rinοvuara
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike duket se kanë nisur lëvizjet për të pjekur terrenin e bashkëpunimit në sesionin e ri parlamentar. Kryeministri Edi Rama i ka drejtuar disa herë një ftesë bashkëpunimi liderit demokrat dhe nga dita në ditë shtohen sinjalet se në Parlamentin e ri do të kemi një frymë të re në politikë.
Edhe Rama e ka deklaruar se qëllimi është që të marrin fund sherret e akuzat, por të gjithë të bëhen bashkë për reformat dhe gjithçka tjetër. Lëvizja e parë e të dyja palëve ishte shpartallimi i LSI. Nëse LSI merrte shumë mandate, bashkëpunimi PD-PS do të shihet i vështirë. Kjo parti tani ka vetëm 4 deputetë dhe roli i saj në Parlament është i papërfillshëm. Por ajo që bie në sy është se si Rama ashtu dhe Basha po mundohen të mbyllin sa më shpejt të jetë e mundur debatet dhe çështjet brenda partisë. Basha vendosi të fusë PD në zgjedhje më 13 qershor, vetëm një ditë pas Kongresit të PS (12 qershor).
Organizimi kaq i shpejtë i zgjedhjeve në PD tregon disa fakte. Së pari kryedemokrati Basha nuk u lë kohë kritikëve të mobilizohen kundër tij. Së dyti, mbajtja e zgjedhjeve në qershor dhe rikonfirmimi i Bashës do të shuajë debatin deri në krijimin e Parlamentit të ri. Sado kritikët e tij të mos njohin zgjedhjet në parti dhe të akuzojnë, deri në shtator gjithçka do të jetë qetësuar dhe Basha do i ketë mbyllur problemet brenda partisë së tij. Të njëjtën skemë po ndjek dhe Rama. Më 12 qershor mblidhet Kongresi i PS. Aty, Rama do të nisë reformimin e partisë dhe në shtator PS do të ketë një Asamble dhe Kryesi të re. Po ashtu do të ikin shumë krerë degësh dhe individë që nuk punuan sa duhet në zgjedhje.
Në shtator Rama pritet të fusë në qeveri njerëzit që ai beson më shumë, ndërsa po ashtu e njëjta gjë do të ndodhë dhe në Kryesi e Asamble. Pra duket sikur si Rama ashtu dhe Basha po ecin me të njëjtën skemë. Të dy do të çimentojnë poste në krye të partive dhe po ashtu do të kenë pas vetes ata që i mbështesin. Kjo do e bëjë shumë të lehtë hedhjen e hapit final të bashkëpunimit.
Bashkëpunimi mes PD dhe PS
Kryeministri Edi Rama e ka sqaruar disa herë se kush është qëllimi i ftesë së tij ndaj Bashës. Ai ka thënë se do një frymë të re politike, ndërsa është gati të lëshojë shumë gjëra për Bashën. Mbështetësit e Berishës dhe vetë ish-kryeministri nuk e duan bashkëpunimin me Ramën. Por Basha duket se me mbajtjen e zgjedhjeve i nxjerr ata jashtë loje.
Elementi i parë ku palët pritet të bashkëpunojnë është presidenti i ri. Sido që të vejë fati i Metës, duke qenë se ndaj tij ka nisur një proces shkarkimi, ai vitin që vjen largohet dhe duhet të emërohet një president i ri. PS e ka bërë të qartë se do të kërkojë një emër konsensual me PD.
Elementi i dytë që pritet bashkëpunim janë zgjedhjet vendore. Kemi disa bashki apo kryetarë dhe përveç tyre, mund të shkohet në zgjedhje dhe në disa bashki të tjera, sidomos ato që kanë qenë bastione të PD. Më pas pritet që të ndërmerren një sërë reformash të rëndësishme ku sërish PS do të kërkojë bashkëpunim.
Ideja e bashkëqeverisjes është e fundit dhe mbetet të shihet sa do të arrihet deri aty. Nuk duhet harruar se KQZ ka zbuluar parregullsi në zgjedhje dhe nëse PS humbet 2-3 mandate, bashkëqeverisja është e vetmja rrugë.