Rama i “dhuron” zyrtarisht Bashës vilat 17 katëshe te Liqeni, Veliaj kërkon t’i shpëtojë nderin, sulmon Gjykatën Administrative të Apelit, që lejoi sot ligjërisht ndërtimet

    0
    252

    “Pamfleti.com” shkruajti se sot gjykata vendosi për ndërtimin e pallateve 17 katëshe te Liqeni Artificial në Tiranë.

    Madje parashikoi dhe vendimin që u dha në favor të kompanisë së mikut të Bashës. E cilësuam një “dhuratë” të Ramës për mikun e tij Basha në këmbim të degjenerimit të protestave për taksën e Rrugës së Kombit.

    Shkruajtëm se dhe Basha nuk e ka për herë të parë. Nuk ishte profeci, por “Pamfletit” i doli fjala.

    Gjykata vendos në favor të klientit të Bashës. Tashmë zyrtarisht pallatet 17 katëshe tek Liqeni Artificial do të fillojnë të ndërtohen. Menjëherë.

    E pranoi këtë dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili nën “petkun” e sulmit ndaj vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit dhe ndaj ish kryetarit të bashkisë, sot kryetar i PD Lulzim Basha, po përpiqet të shpëtojë “nderin” e Ramës.

    Sikur ai nuk ka gisht në këtë punë. Sikur Apeli administrativ ka vendosur në kokën e tij në favor të Bashës.

    “Sot, Gjykata Administrative e Apelit, në një mbledhje të pa njoftuar dhe jashtë vëmendjes së opinionit publik, vendosi të lërë në fuqi lejen për ndërtimin e 5 pallateve 17-katëshe te Diga e Liqenit Artificial, “dhurata” që ish kryetari i Bashkisë së Tiranës, sot kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bëri qytetit të Tiranës në vitin e fundit të mandatit të tij.

    Ky vendim është një lajm i keq për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe një tjetër veprim i shëmtuar i kësaj gjykate, të cilës, me sa duket, edhe në dritën e zhvillimeve të reja që po sjell reforma në drejtësi dhe procesi i Vettingut, tregoi se nuk është palë me qytetarët dhe nuk i intereson e ardhmja e qytetit.

    Historia e 5 pallateve 17 katëshe buzë Digës së Liqenit është e njohur për qytetarët e Tiranës.

    Ajo daton që në tetor të vitit 2014, kur ish kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me pronarin e kompanisë GENER 2, firmosi lejen e ndërtimit, edhe pse ajo leje u kundërshtua fort si nga shoqëria civile, të cilët organizuan një sërë protestash, ashtu edhe nga Komiteti Kombëtar i Digave.

    Ky i fundit në janar 2015 hartoi një raport të plotë për lejen e firmosur nga Basha, duke e cilësuar ndërtimin e pallatit si të rrezikshëm për jetën e banorëve që banojnë aty dhe që cenon sigurinë publike të të gjithë zonës përreth.

    Edhe ky vendim i Komitetit Kombëtar të Digave u hodh poshtë nga gjykatat, duke i hapur rrugë ndërtimit të këtij objekti.

    Nisur nga kjo, në shtator 2015 Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit pezulloi punimet për ndërtimin e 5 pallateve dhe kërkoi revokimin e lejes në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.

    Po atë vit, administrata e re e Bashkisë së Tiranës dhe kryebashkiaku Veliaj, kundërshtuan me forcë ndërtimin e 5 pallateve 17 katëshe të Lulzim Bashës dhe miqve të tij, duke nisur kështu një betejë ligjore, në mbështetje të interesit të qytetit dhe qytetarëve të tij, dhe deri në realizimin e një proteste masive qytetare para Gjykatës Administrative të Apelit, e cila në atë kohë, në një konflikt të hapur interesi, kishte vendosur të linte në fuqi lejet e ndërtimit të Lulzim Bashës.

    Po kështu, me miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor Bashkia e Tiranës e ka shpallur atë zonë hapësirë të gjelbër në funksion të qytetarëve.

    Bashkia e Tiranës shpreh keqardhjen për sjelljen dhe vendimet e deritanishme të gjykatave, por mbi të gjitha për faktin se pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme, me fakte e argumente, qoftë për konfliktin e hapur të interesit të gjyqtarëve apo të shpërdorimit të detyrës, nuk pati asnjë reflektim nga ana e tyre dhe, me vendimin e sotëm i hap rrugë ndërtimit të këtyre godinave.

    Nga nesër qyteti do të vuajë një tjetër vendim abuziv të firmosur nga Lulzim Basha; njeriu që drejton një parti, e cila nga njëra anë proteston me armë kundër ndërtimit të një këndi lojërash për fëmijë, e nga ana tjetër, me një të rënë të lapsit zhduk një hapësirë publike buzë Liqenit Artificial për ta shndërruar në kompleks pallatesh 17 katëshe.

    Me sa duket, ndërtimi i pallateve shumëkatëshe buzë detit të Vlorës dhe buzë liqenit të Tiranës paskan qenë specialitetet e tij të vetme gjatë gjumit 4 vjeçar në Bashkinë e Tiranës”, reagon Veliaj.

    Ndërsa ne nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të urojmë Bashën për pallatet e radhës dhe Ramën për pazarin e radhës!