Lajme

Rihαpet dοsja e “21 Janarit”, familjarët e Aleks Nikës i drejtοhen Strasbυrgut, Sali Berisha i rrezikυari kryesor

Nuk kanë të sosur telashet për ish-kryeministrin Sali Berisha. Teksa Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli “non-grata”, një goditje e fortë ka ardhur nga Gjykata e Strasburgut. Në Avokaturën e Shtetit dhe institucionet e tjera ligjzbatuese ka mbërritur një letër që sinjalizon rihapjen e dosjes së “21 janarit”.

Në protestën e vitit 2011 mbetën të vrarë 4 persona, por për Aleks Nikën dhe Hekuran Dedën nuk pati kurrë drejtësi. Familja e këtij të fundit disa vite më parë iu drejtua Strasburgut dhe mori garanci nga qeveria për rihapjen e hetimeve.

Po të njëjtën rrugë kanë ndjekur edhe familjarët e Aleks Nikës. Sipas ‘Sotnews’ ata kanë dërguar një padi në GjEDNJ për rigjykimin e çështjes. Përmes kësaj padie, familjarët e Nikës kërkojnë që hetimet të fillojnë nga e para, sepse në atë kohë institucionet shqiptare nuk kanë bërë si duhet punën,

pasi deri më sot nuk kanë mundur të përcaktojnë rrethanat në të cilat u vra Aleks Nika dhe as autorin e vrasjes, duke i lënë çështjen për 10 vjet pa drejtësi të gjetur. Për këtë rast Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka nisur ditët efundit shqyrtimin e padisë, ndërsa u ka kërkuar institucioneve përgjegjëse në Shqipëri më shumë informacione dhe të dhëna rreth kësaj ngjarje.

Gjithashtu shtetit shqiptar i është kërkuar informacion nëse familjarët e të ndjerit kanë patur akses në fazën hetimore të procesit dhe nëse kanë kërkuar të përfshihen në proces. Nisur nga kërkesa e Strasburgut, avokatja e shtetit Enkelejda Muçaj, i është drejtuar me shkresë për informacion Sekretarit te Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj. Konkretisht, me urdhër të GJEDNJ, Avokatura e Shtetit iu ka kërkuar institucioneve në vend çdo informacion të kërkuar, çdo akt dhe provë të administruar në funksion të procesit. Pra hapat e ndjekur gjer më tani, që nga padia e familjarëve në Strasburg, kërkesa e kësaj të fundit për më shumë informacion si dhe vënia në lëvizje e institucioneve tona tregon që vrasja e Aleks Nikës do të rijetohet.

Rihapja e kësaj dosje është një tjetër kambanë alarmi për ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi prej vitesh familjarët e të vrarëve me 21 janar kërkojnë ndëshkimin e tij. Ndërsa kujtojmë se nuk është fare rastësi se rihapja e “21 janarit’” vjen fill pas rihapjes së “Gërdecit” dhe vendimit të DASH për ish-kryeministrin.

Detajet e rihapjes

Rihapja e dosjes për vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës duket se nuk do të jetë proces i vështirë. Në 21 janar të këtij viti, pra në 10-vjetorin e masakrës u bë me dije se policia ka kërkuar rihapjen e hetimeve nga Prokuroria e Tiranës. Policia dërgoi një dosje me argumente dhe të dhëna duke dhënë sinjale se “21 janari” do të rihapet.

Gjithashtu në letër-kërkesë kërkohet të ripyeten të afërm të viktimave dhe dëshmitarë. Vrasja e Nikës është më e mistershmja e “21 janarit” dhe tashmë një rast edhe më i veçantë se të tjerët. Kjo, sepse për 2 nga të vrarët e 21 janarit prokuroria siguroi prova dhe arriti në përfundimin se vrasjet u bënë nga pakujdesia duke sjellë më pas dhe dënimin e ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistit Agim Llupo me 3 vite burg. Por për vrasjen e Aleks Nikës nuk u dënua askush. Por pikërisht polica ka shfrytëzuar këtë dosje për të rihapur masakrën e “21 janarit”. Sipas ligjit shqiptar, për në ngjarje të gjykuar nuk mund të ketë rihetim, ndërsa rasti i Nikës nuk është i tillë.

Duke qenë se për të nuk ka asnjë vendim gjyqësor atëherë të gjitha letrat janë në tryezë dhe nëse prokurori do vërtet të dënojë ata që dhanë urdhrin atëherë kjo është e mundur proceduralisht. Dhe po të shtojmë këtu faktin që tashmë pas kësaj dosje qëndron edhe Strasburg, lind shpresa se drejtësia do të vijë dhe fajtorët do të ndëshkohen. Të gjithë akuzojnë Berishën si personin që urdhëroi vrasjet e 21 janarit 2011. Ai vetë ka thënë në media se kishte urdhëruar 5 snajper të qëllonin kreun e opozitës. Nëse kjo dosje gjen dritën e hapjes, atëherë ish-kryeministri është më i rrezikuari.