Sërish çadër? Zbulohet plani i opozitës për protestën: Do rrethojmë kryeministrinë për 72 orë, ja thirrja për shqiptarët e ndershëm

    0
    322

    Zbardhen detajet e para nga protesta që opozita ka paralajmëruar të zhvillojë të shtunën e ardhshme.

    Dita shkruan se sipas burime brenda opozitës, Kryeministria do të rrethohet me kordonë protestuesish dhe do të kërkohet të japë dorëheqjen ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

    Ndërkohë, sipas planit paraprak protesta është menduar se do të zgjasë 72 orë me mundësi shtyrjeje ku ende nuk është vendosur se ku do të qëndrojnë njerëzit ç’ka ngre pikëpyetje nëse do të ketë sërish çadër në bulevard.

    Mësohet se në fillim, protesta do të përqendrohet përpara godinës së Ministrisë së Brendshme, për të kaluar më përpara Kryeministrisë.

    Protesta e së shtunës zhvillohet në kushtet e një klime të egër politike mbushur me akuza dhe paralajmërime.

    Siç e dimë, protesta zhvillohet edhe në kushtet kur Shqipëria është në një periudhë prove sa i takon vendimit që do të marrin vendet e Bashkimit Evropian për çeljen ose jo të negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE.

    Vendimi për zhvillimin e protestës u morr ditën e premte gjatë një mbledhjeje të krerëve të opozitës së bashkuar në selinë e Partisë Demokratike.

    Basha dhe Kryemadhi i kanë porositur krerët e degëve që të sjellin sa më shumë njerëz në Tiranë ditën e shtunë.

    Liderët e opozitës i kanë bërë thirrje shqiptarëve të ndershëm që të ngrihen të protestojnë për të larguar kryeministrin Edi Rama nga qeveria. Ata e kanë konsideruar kabinetin qeveritar si të lidhur me krimin dhe drogën ndaj duhet të largohet. (TemA)