“Shpikja” e shqiptarëve që të lë pa fjalë: Nga një kamion i vjetër krijuan një zjarrfikëse për zonat malore (Foto)

    0
    186

    Gramshiotët kanë shpikur një zjarrfikëse që të lë pa fjalë. Nga një kamion i vjetër i ushtrisë është krijuar një zjarrfikëse e re.Ky inovacion që vjen nga Gramshi, ka një meritë të veçantë pasi kjo nuk është një zjarrfikëse e zakonshme, por e profilizuar për zonat malore të Gramshit.

    Stafi i zjarrfikëseve në këtë qytet drejtuar nga i pasionuari Ilir Llapushi, ka mundësuar këtë shpikje interesante dhe funksionale për qytetin e Gramshit.

    “Mora një kamion të vjetër të ushtrisë nga ata 4×4 ia hoqa karrocerinë dhe në vend të saj vendosëm kazanin bashkë me pompën e një zjarrfikëse të prishur. U bënë disa modifikime të tjera duke e përshtatur si zjarrfikëset e tjerë. Bëmë saldime, stukime, lyerje dhe ja më në fund një zjarrfikëse akull e re”, ka thënë ai për mediat shqiptare.

    Iliri tregon se atij bashkë me stafin iu deshën mbi dy muaj punë që të ‘prodhonin’ zjarrfikësen e re.“Ajo çfarë është e rëndësishme është se ne prodhuam një zjarrfikëse për zonat malore. Gramshi ka terren të thyer dhe zjarrfikëset e zakonshme nuk mund të depërtojnë deri në vatrën e zjarrit. Këtë pengesë tani e zgjidh kjo makinë e re e aftë të përshkojë rrugë të vështira. Është një kamion ushtrie mjaft i fuqishëm. Me punën që kemi bërë mendojmë se do të kemi shumë rezultate”.

    Iliri tregon se çdo njeri duhet ta konsiderojë vendin e punës sikur të jetë në shtëpinë e tij.“Me lekët e mia dhe me ndihmën e disa shokëve kemi restauruar komplet godinën e zjarrfikëseve. Ajo është vendi ku në qëndromë çdo ditë. Ku ushtrojmë profesionin tonë. Dhe mendoj se gjithsecili duhet të mendojë të krijojë një ambient pune sa më dinjitoz. Mjafton dëshira e mirë dhe fakti që ta konsiderosh punën si natyrën tënde të dytë”.