Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero komentoi mëngjesin e sotëm situatën e COVID-19 në vendin tonë.
I ftuar në emisionin ‘ABC e ,mëngjesit’, Pipero u shpreh se ky virus mbart shumë të panjohura.
“Virusi ka shumë të panjohura. Në fillimet e tij kishte më shumë frikë dhe pasiguri, pasi nuk kishim informacion se çfarë do të ndodhte”, tha Pipero.
Ndërsa u ndal tek ashpërsimi i masave, nëse duhet të merrej apo jo një vendim i tilli nga Komiteti Teknik, Pipero tha se është me rëndësi që të kufizohen lëvizjet në fundjavë, duke shtuar se nuk është për mbyllje.
“Për mua duhet të ndalohet udhëtimi jashtë Tirane. Në fundjavës duhet të ketë një ndalim të kalimit nga një rajon tek tjetri, pasi mbipopullimi i lokaleve sjell transmetim të Covid-19. Po ashtu duhet të respektohen masat aktuale.
Unë mendoj që lokalet të zbatojnë masa strikte dhe po të respektohen masat aktuale dhe të kufizohen lëvizjet në fundjave, mund të frenohet edhe përhapja e virusit. Për mua si mjek, indikator kryesor nuk është numri i rasteve të infeksioneve, por numri i rasteve që shtrohen në spital.
Numri i atyre që shtrohen në spital është real, i rasteve të rënda, i atyre që humbasin jetën këto janë indikatorë që mua si mjek më shqetësojnë”, sqaroi ai.
Gjithashtu Pipero tha se përgjithësisht viruset pësojnë mutacione të rëndësishme me përhapje të shpejtë.
“Qoftë imuniteti natyral i fituar qoftë imuniteti i përfituar nga vaksina të mbron ndaj viruseve të tjera, edhe nëse infektohesh sëmundjen e kalon më lehtë”, theksoi Pipero.
Ndërsa u ndal tek situata në Shqipëri, Pipeo theksoi se ishte e pritshme që situata pas festa të vinte me shifra të larta, pavarësisht se thuhet se kanë kohë që kanë kaluar, por transmetimi vijon ditë pas dite dhe nuk shkëputet lehtësisht. Deri në gjysmën e parë të marsit numrat do të jenë në rritje. Ka disa faktor që më bëjnë të jenë optimist për fundin e muajit prill, qoftë vaksina procesi i së cilës po vijon, por besoj edhe rritja e temperaturave do të luajë rolin e saj”, tha ai.