Trazohen akoma dhe më shumë ujërat brenda opozitës. Lulzim Basha e ka vendosur që do të shkojë vetëm me aleatët tradicionalë në zgjedhje, ndërsa LSI ka shtuar dozën e kërcënimeve. Monika Kryemadhi pak ditë më parë e deklaroi hapur se nuk do të bashkojë votat me PD për të krijuar qeverinë e re, nëse Basha nuk pranon të realizojë programin e saj. Por kjo nuk është vetëm pika e vetme që ndan palët.
Elementi tjetër është ai i ndarjes së qeverisë nëse fitohet. Gazeta ‘Sotnews’ ka mësuar se Kryemadhi dhe Meta i kanë vënë kusht Bashës që ata të marrin Ministrinë e Brendshme. Burime shumë të sigurta në selinë blu i thanë gazetës se kjo është një çështje që ka ndarë shumë palët, pasi LSI kërkon me ngulm ta drejtojë ajo dhe nëse PD nuk e lëshon, mund të mos i bashkojë votat. Madje Meta ka projektuar si ministër ish-këshilltarin e tij Bahri Shaqiri, duke treguar se e largoi nga Presidenca për këtë qëllim. Ajo që konfirmon fare qartë një gjë të tillë, është një artikull i një media shumë pranë presidentit. Madje ajo ka shuar deri aty sa ka deklaruar se nëse Bahri Shaqiri merr këtë detyrë, do të kërcasin arrestimet.
“Siç është bërë e njohur Ministrinë e Brendshme, pas zgjedhjeve, do ta marrë LSI, e cila ka listën e krejt bandave që do arrestohen. Po kështu vajtja e ish-kreut të shërbimeve sekrete, Bahri Shaqiri si kandidat në Shijak, i cili do të jetë ministri i Brendshëm pas zgjedhjeve, paralajmëron hapur bandat dhe krimin që të mos futin hundët në votime, sepse fundi do jetë se do arrestohen”, thuhet në shkrim.
Pra duket qartë se LSI ka nisur që tani të projektojë ministritë, ndërkohë që zgjedhjet nuk janë mbajtur dhe rezultati i tyre nuk dihet. Ministri i Brendshëm mund të quhet me gojë plot si numri dy i qeverisë, pas kryeministrit. Në çdo qeveri, kjo ministri është më e rëndësishmja, pasi ka në dorë rendin dhe sigurinë. Historikisht të gjitha partitë që kanë drejtuar qeveritë nuk e kanë lëshuar këtë ministri.
Madje edhe kur Meta bashkëpunoi me Berishën, ky i fundit nuk e lëshoi ministrinë e Brendshme. Por tashmë LSI duket se ka shtuar oreksin dhe do që të marrë në dorë policinë. Mbetet të shihet si do të venë negociatat, por sipas burimeve, Basha nuk e pranon një gjë të tillë, ndërkohë që LSI kërcënon se nuk do i japë votat e nevojshme për konstituimin e qeverisë.Meta paralajmëron trazira
Teksa LSI rrezikon të mbetet në mes të katër rrugëve, presidenti ka dhënë sinjale se nëse partia e tij nuk është më në qeveri, atëherë do të nisë protestat dhe revoltat. Gazeta ka mësuar se në korridoret e PD dhe LSI po qarkullon prej javësh një ide që nëse PS fiton zgjedhjet, atëherë Meta me Berishën do të ngrenë militantët në revolta. Sinjalet i dha Meta gjatë një takimi në fundjavë.
“Besoj se kam qenë dhe jam i qartë se 25 prilli do të jetë referendum i qartë i popullit për të ardhmen europiane. Jam besimplotë për këtë gjë dhe do të vazhdoj të jem i përkushtuar për integrimin e Shqipërisë. Treni i integrimit është nisur, mjerë ai që i del përpara sepse nuk ndalet më jo më 25 prill, por as pas 25 prillit”, tha Meta. Pra duket qartë se LSI ka një plan B pas 25 prillit.
Rama pak ditë më parë tha se bashkë me PD kanë punuar për ta shkrirë këtë parti. Vetë Basha nuk mohoi dhe kjo ka vënë në lëvizje presidentin, i cili si duket nuk do të njohë asnjë qeveri tjetër veç asaj ku bën pjesë LSI.