“Trupίn e hοdhën në det”, Izet Haxhia letër djalit të Remzi Hoxhës: U νra me tοrtura mizοre në bazën e SHIK-ut
Ardian Hoxha, djali i biznesmenit të zhdukur Remzi Hoxha, i cili akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha për rrëmbim dhe vrasje të babait të tij. Në një intervistë të dhënë ditën e djeshme, Ardian Hoxha, foli për shpalljen ‘non grata’ të Sali Berishës dhe për babain e tij Remzi Hoxha, të zhdukur prej vitesh.
“Mendoj se me këtë vendim është thyer akulli i Sali Berishës dhe tani mendoj se duhet të dalin të gjitha krimet që ai ka bërë, jo vetëm rrëmbimi dhe vrasja e babait tim. Do të dëshiroja që sa të jetë gjallë t’i përjetojë të gjitha këto turpërime, dhe mos të shkojë në botën tjetër pa i ndjerë të gjitha këto poshtërime të cilat i meriton, një e nga një”, tha dje për Gazetën Dita Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës.
Ndërkohë, sot gazeta ka publikuar një letër të shkruar nga burgu, nga ish-truproja i Berishës. Izet Haxhia i shkruan Ardian Hoxhës dhe i thotë babai tij u vra sepse ishte një nacionalist, ndërsa trupi i tij është hedhur në det pas vrasjes me tortura mizore në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës.
Haxhia më tej i bën apel shtetit shqiptar që të çojë para drejtësisë Kumbaron dhe Sefgjinin qoftë edhe në statusin e të penduarit.
Pjesë nga letra e Izet Haxhisë për Ardian Hoxhën:
“Ardian, lexova intervistën tënde në gazetën DITA dhe ndihem i prekur. Ti je rritur pa babain tënd, ashtu si fëmijët e mij janë rritur pa mua. Unë ju drejtohem juve si një baba që ka me vite që nuk takon fëmijët e tij, për shkak të njëjtit person që juve ju ka bërë të kërkoni të drejtën më të ligjshme në botë, një varr.
Babain tënd Ardian, e vrau shteti amë dhe veglat e shërbimeve sekrete fqinje. E vranë sepse ishte një nacionalist. Dhe më e tmerrshmja, pasi e vranë në tortura mizore, trupin e tij të pajetë e hodhën në det. Pse? Sepse Remzi Hoxha ishte një dëshmitar i tradhëtisë së tyre ndaj atdheut dhe shqiptarizmit.
Unë nuk gjej fjalë t’ju ngushëlloj juve, por vetëm një apel kisha për shtetin shqiptar sot: Kumbaron dhe Sefgjinin t’i çojë para drejtësisë qoftë edhe me statusin e të penduarit. Vrasja dhe zhdukja e kufomës së Remzi Hoxhës është një njollë e zezë në historinë e shtetit shqiptar. Është në nderin e kësaj qeverie që të vejë në vend sadopak dinjitetin e këtij shteti duke e zbardhur këtë krim makabër…”
Më poshtë intervista e Ardianit dhënë 2 ditë më parë për DITA:
–Ardian, ju keni akuzuar Sali Berishën për rrëmbimin dhe zhdukjen e babait tuaj, por cila ishte ndjesia që patët kur u informuat se ai (Sali Berisha) ishte shpallur “non grata” nga ShBA?
Kur u informova që Sali Berisha u shpall person “non grata” në ShBA, normalisht u ndjeva mirë pasi ishte një rikonfirmim i asaj që ne e kemi thënë dhe ditur prej shumë kohësh, që Sali Berisha është një njeri i lig, një njeri që ka bërë shumë krime, një kriminel.
Pra ka ardhur koha që të gjitha zullumet që ka bërë në këto 30 vite të dalin në shesh. Ndoshta tani është vetëm fillimi i daljes së tyre në dritë. Le të shpresojmë edhe njëherë…
Ai tani është në kohën e pleqërisë që normalisht do duhej të thotë se nuk ka më ndikim direkt në vendimet politike, por unë mendoj që, sa është gjallë ai do të jetë pengesë për të gjitha zhvillimet në Shqipëri. Rrjedhimisht edhe për zbardhjen e krimeve të ndryshme që ka bërë dhe janë bërë në kohën e tij.
Shpresoj që shpallja ”non grata” të jetë vetëm fillimi i rënies së lavdisë që ai aq shumë e kishte kërkuar dhe ëndërruar, qoftë edhe duke shkelur mbi kufoma.
–E konsideroni të vonuar këtë vendim të Departamentit te Shtetit?
E konsideroj pak të vonuar të them të drejtën, por përsëri, si i thonë asaj fjalës së urtë popullore, “më mirë vonë se kurrë”. Mendoj se me këtë vendim është thyer akulli i Sali Berishës dhe tani mendoj se duhet të dalin të gjitha krimet që ai ka bërë, jo vetëm rrëmbimi dhe vrasja e babait tim.
Do të dëshiroja që sa të jetë gjallë t’i përjetojë të gjitha këto turpërime, dhe mos të shkojë në botën tjetër pa i ndjerë të gjitha këto poshtërime të cilat i meriton, një e nga një.
–Po reagimin e Berishës, faktin që do e hedh në gjyq për shpifje Sekretarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, si e shikoni ju?
Propagandë dhe për të tërhequr vëmendjen në kah tjetër. Ai e ka shumë të vështirë të ndryshojë rrjedhën dhe është shumë qesharake kjo padi. Po kaq qesharake dhe e çmenduri e radhës është që thotë se është shpallur “non grata” për shkak të Kosovës.
–Mendoni se do dënohet?
Do të duhej, patjetër. Ai këtu ka qenë dhe krimet e tij i kemi parë ashiqare, por gjithashtu ka qenë i zoti për t’i mbuluar, megjithatë vjen një ditë kur jo gjithçka fshihet. Një ditë do të dalë boja.
Për aq vite jetë sa i kanë mbetur dhe sa është gjallë Sali Berisha, mendoj se do të këtë pleqërinë më të keqe që ka kaluar dikush.
Do të ndihet i poshtëruar, do të ndihet keq për vetën, por edhe për pasardhësit e tij, të cilëve nuk u ka lënë vend në Shqipëri.