Tashmë është zyrtare. UEFA përdor dorën e hekurt ndaj Skënderbeut duke marrë vendimin më të rëndë në historinë e saj ndaj një klubi futbolli.
Ajo që i trembeshin të gjithë në Korçë dhe në Shqipëri tashmë është bërë realitet pasi qeveria e futbollit europian ka pranuar kërkesën e dy inspektorëve të saj pranë komisionit të Disiplinës dhe Etikës në UEFA, duke përjashtuar me 10 vite nga kompeticionet europiane klubin bardhekuq dhe duke e dënuar me 1 milion euro gjobë Skënderbeun.
Dënimi është dhënë në datën 21 mars por vetëm sot ka dalë në dritë dokumenti i plotë i UEFA-s që fundos klubin korçar.
Në këtë këndvështrim, merr fund në mënyrën më të keqe historia e suksesit të Skënderbeut në Shqipëri dhe në Europë gjatë dekadës së fundit me klubin bardhekuq që duhet të vuajë tashmë pasojat për përfshirjen në fiksimin e rezultateve të disa sfidave.
Gjithsesi, ky vendim është subjekt apelimi, ndaj pritet që Skënderbeu ta apelojë në Komisionin e Apelit të UEFA-s, si shkallë e dytë, e më pas në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, CAS, në Lozanë.