Ura e Patras në Greqi: Njihuni me pagesën e çmendur për të kaluar mbi të

    0
    973

    Furia e reagimeve mbi nisjen e aplikimit të një pagese, apo tarife që gabimisht quhet dhe taksë, për kalim në Rrugën e Kombit, këndej dhe andej kufirit, ka patur dhe lëndën e vet ilustruese mbi padrejtësinë e pretenduar.

    Dhe meqenëse debati udhëhiqet më së tepërmi nga piskamat në rrjete sociale, cytaz me nerv emocional sesa nga segmente të rafinuara të mendimit publik pak më të ftohta, është e vështirë të ndash nëse irritimi vjen nga vetë pagesa apo nga kuota e pagesës.

    Për këtë të dytën janë ofruar dhe denoncime të llojit krahasues të tipit: ja sa paguhet në aksh rrugë të aksh vendi.

    Por a qëndron kjo? Sigurisht që jo. Pagesa mund të ndryshojë nga rruga në rrugë e vendi në vend për qindra arsye, duke nisur që nga mënyra e financimit sa i përket shlyerjes, e deri tek kushtëzime të tipit gjeofizik sa i përket mirëmbajtjes.

    Dhe debati kërkon një gjuhë e një kompetencë ekstra profesionale. Nuk është debat për rrjete sociale, ku sidomos ndër shqiptarë çdokush përpiqet të bëjë kompetentin nën efektin e psikozës konstante të delirit të madhështisë dhe manisë së persekucionit, të cilin rrjetet sociale, posaçërisht Facebook-u e kanë çuar në nivele dramatike tek individi.

    Eshtë normale të të dhëmb xhepi për çdo pagesë. E te Rruga e Kombit problemi komplikohet pasi për gati dhjetë vite rresht është qarkulluar lirshëm, pa asnjë detyrim financiar.

    Por ngjan kjo dhe me precedentin e energjisë, dritave thënë ndryshe, ku të mësuar për të mos i paguar, kur erdhi dita që duheshin paguar, ngjau sikur ndodhi kataklizmoja.

    Dhe duke iu kthyer denoncimit përmes krahasimit, po sjellim shembullin e Urës së Patras në Greqi, një ndër më madhështoret e më të bukurat në rajon, ndërtuar në fillim të viteve 2000. E dini sa është pagesa për një kalim?

    Shumë shqiptarë duhet ta dijnë meqë dhe Greqia na është bërë si shtëpia jonë: 13 euro. Vetëm për një kalim.

    Ndërkohë, autostrada Janinë – Athinë, afro 400 km, e përfunduar plotësisht pak muaj më parë, e ka 40 euro koston e pagesës nëpërmjet gati 7 pikave ku ajo kryhet periodikisht. Kjo vetëm në vajtje.

    Që do të thotë se shembujt krahasues mund të jenë gjithfarëshe, por nuk përbëjnë argument në kuptimin financiuar.

    Rruga e Kombit është dhe një histori politike veç asaj financiare, ku e para ka kostuar në të dytën.

    Siç ndodh rëndom në politikën shqiptare, e ku PD e pati të theksuar tek rasti i ndërtimit të kësaj rruge, aspektet politike si përfitim dominuan mbi logjikën financiare duke kostuar në vite te këto të fundit.

    Sërish ngjashëm si në rastin e energjisë: nuk ka problem rrënimi i financave publike, mjaft mos humbim vota. Dhe o burra, mos paguani!

    A mund të ketë padrejtësi e shkelje në rastin e marrëveshjes me koncensionarin? Mundet posi, por kjo nuk vërtetohet në ujrat gjithnjë të turbullta të Facebook-ut.

    Aty do hasësh dhe arsyen më të çmendur të mosarsyes: taksa është për inat të veriorëve, gjegjësisht të kosovarëve.

    Dhe në këtë projekt djallëzor merr pjesë dhe hasiani, thënë ndryshe kuksiano-gjakovari Kastrati! (Tesheshi)