Rama paralajmëron ndryshime për paraburgimin masiv në Shqipëri

0
1

Kryeministri Edi Rama ka komentuar këtë të diel, në podkastin e tij “Flasim” situatën e sistemit gjyqësor në Shqipëri, duke e cilësuar përdorimin e paraburgimit si masë ekstreme dhe shpesh të pajustifikuar.

Sipas Ramës, raportet e ekspertëve të Këshillit të Europës tregojnë se Shqipëria mban një nivel jashtëzakonisht të lartë të personave në paraburgim, shumë larg praktikave të vendeve të Bashkimit Europian.

“Siç e kam përmendur disa ditë më parë kemi nisur analizën e thelluar të shenjave shqetësuese të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor, pas dy kulminacioneve shumë të forta: Pezullimi antidemokratik i një anëtari qeverie nga një prokuror e gjykatës me një vendim të shkallës së parë dhe tentativa e magjistratëve, gjykatës dhe prokurorë bashkë të Shqipërisë për të rritur vetë pagat e tyre, duke shqyer arkën e shtetit. Vetë Ali dhe vetë Kadi. Mes të tjerash këto dite, kam rilexuar një raport të para disa kohësh, shkruar nga ekspertë të Këshillit të Evropës mbi përdorimin brutal dhe masiv të paraburgimit në Shqipëri – një rekord negativ absolut i drejtësisë shqiptare, e cila e ka vendosur Shqipërinë në pozicionin më të keq në Europë, por jo thjeshtë në fund, por me dallim të frikshëm nga rajoni dhe nga pjesa tjetër e Europës, po se po.  Më lini të ndaj me ju disa pika kyçe të këtij raporti: Së pari: Përdorim i tepruar dhe kohëzgjatje e pajustifikuar e paraburgimit Shqipëria mban një nivel jashtëzakonisht të lartë të personave në paraburgim, me shifra që janë dukshëm shumë larg praktikave të vendeve të BE-së. Gjykatat e zgjasin rëndom masën e paraburgimit, pa asnjë arsyetim të individualizuar dhe pa treguar se vazhdimi i kësaj mase mbetet në mënyrë strikte i domosdoshëm dhe proporcional”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se gjykatat shpesh bazohen në nocione të paqarta ligjore dhe përdorin formula standarde pa vlerësim të mirëfilltë të çështjes, ndërsa paraburgimi trajtohet si opsioni i parë dhe jo mjeti i fundit. Ky proces, sipas tij, ka çuar në mbipopullim të burgjeve me persona të padënuar, duke e bërë Shqipërinë një rast të veçantë krahasuar me Europën.

“Së dyti: Cilësia e arsyetimit gjyqësor dhe kontrollit le shumë për të dëshiruar. Vendimet për paraburgim shpesh bazohen në nocione të paqarta ligjore (‘arsye të rëndësishme’, ‘rrezik i veçantë;) dhe gjykatat kanë tendencën të përdorin formula standarde, pa bërë një vlerësim të mirëfilltë të çështjes. Raporti thekson kulturën e mangët të arsyetimit të thelluar. Së treti: Mungesë dhe zbatim i paqëndrueshëm i masave alternative ndaj paraburgimit. Gjykatësit kanë tendencën ta trajtojnë paraburgimin si opsionin e parë, atë të shumëdëshiruarin dhe jo si mjetin e fundit, duke i shpërfillur rëndom masat e tjera dhe shtoj, duke i mbushur burgjet me më shumë persona të padënuar se sa të dënuar, çka e bën Shqipërinë, një vend krejtësisht origjinal në brutalitetin e vet.”, tha ai.

Rama theksoi nevojën për një ndryshim strategjik, që përfshin përcaktime më të qarta ligjore, kontroll më të fortë nga gjykatat e apelit dhe zbatimin e një sistemi funksional të masave alternative.

“Edhe pse korniza ligjore shqiptare është në përputhje të përgjithshme, përgjithësisht me standardet evropiane në letër, vazhdojnë të jenë të pranishme prirjet për të supozuar nevojën për paraburgim, në vend të supozimit në favor të lirisë, dhe mungon praktika e zbatimit të masave proporcionale dhe të arsyetuara në mënyrë individuale. Kërkohet një ndryshim strategjik, përfshirë përcaktime më të qarta ligjore, kontroll më i fortë nga gjykatat e apelit dhe një sistem funksional i masave alternative.”, tha Rama, duke paralajmëruar se kjo temë do të diskutohet më tej dhe se reforma në drejtësi kërkon angazhim të vazhdueshëm.