Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka lëshuar një breshëri kritikash të ashpra ndaj Shteteve të Bashkuara, duke i akuzuar ata për një lloj “agresiviteti neokolonial” që po dëmton marrëdhëniet me aleatët dhe po shkel rregullat ndërkombëtare.
Gjatë fjalimit të tij vjetor para ambasadorëve francezë, Macron nuk i kursye tonet e forta, duke vënë në dukje se Uashingtoni po largohet gradualisht nga angazhimet e përbashkëta, ndërkohë që institucionet globale po funksionojnë gjithnjë e më pak.
Sipas kreut të Elizesë, sot po jetojmë në një botë ku fuqitë e mëdha janë të tundura ta ndajnë globin mes tyre si në kohët e vjetra, një qasje që ai e cilësoi si “imperializëm të ri”.
Macron theksoi se Franca refuzon të dorëzohet para kësaj situate dhe bëri thirrje për një rikthim të fuqishëm te diplomacia e Kombeve të Bashkuara, duke e quajtur braktisjen e tyre si një veprim krejtësisht absurd.
Një pjesë të mirë të fjalimit të tij Macron ia kushtoi nevojës për një Europë më të fortë dhe më të pavarur, veçanërisht në sektorin e teknologjisë që aktualisht është në shënjestrën e interesave amerikane. Ai u kërkoi vendeve evropiane të mbrojnë me çdo kusht rregullat e tyre të tregut digjital dhe të krijojnë një “mburojë demokratike” kundër ndërhyrjeve të jashtme.
Mesazhi i tij ishte i qartë: Evropa me 450 milionë banorët e saj duhet të veprojë si një fuqi e bashkuar ekonomike, duke i dhënë përparësi tregtisë brenda kontinentit dhe duke thjeshtuar tregun e kapitaleve, në mënyrë që të mos mbetet thjesht një spektatore në përplasjen mes fuqive të mëdha.