Talenti i Kombëtares shqiptare bën debutimin në Serinë A

0
1

Sulmuesi shqiptar Joi Nuredini ka debutuar në Serinë A gjatë ndeshjes midis Parmës dhe Genoas.

Futbollisti i lindur në vitin 2007 u aktivizua në minutat e fundit të takimit nga trajneri Daniele De Rossi, duke zëvendësuar Lorenzo Colombon.

Nuredini, i cili është pjesë e Genoas prej dy sezonesh, kishte qenë i grumbulluar me ekipin e parë edhe më herët, por vetëm sot mori minutat e para zyrtare në elitën e futbollit italian.

18-vjeçari po kalon një sezon mjaft pozitiv me ekipin Primavera, ku ka shënuar 4 gola dhe ka dhënë 1 asist në 9 ndeshje.

Përveç rritjes në nivel klubesh, Nuredini është një element i rëndësishëm i moshave kuqezi, ku aktualisht përfaqëson Shqipërinë U-19.