Qeveria “çliron” tokat shtetërore, banesat pa truall drejt privatizimit, zbardhet vendimi, ja kush përfiton dhe afatet

0
1

Rigels Seliman

Qeveria ka përcaktuar procedurat që duhet të ndiqen për kalimin e pronësisë së truallit shtetëror në përdorim dhe modelin e aktit të kalimit në pronësi. Pra e thënë ndryshe, përfitues janë ata qytetarët që kanë ndërtuar dhe kanë në përdorim një tokë që konsiderohet si tokë shtet. Vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare dhe tashmë në fuqi, parashikon se procedurat administrative të kalimit të pronësisë do të kryhen nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës edhe kur ndërtesa është e dëmtuar, për sa kohë që ajo është e pasqyruar në regjistrat kadastralë.

Aplikimi dhe tarifat

Sipas vendimit në fjalë, kërkesa për kalimin e pronësisë paraqitet online nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, dhe tarifa e shërbimit paguhet në momentin e aplikimit. Tarifa është e pakthyeshme në rast refuzimi. Për kërkesat e paraqitura përpara hyrjes në fuqi të ligjit, për të cilat procedura nuk ka përfunduar, nuk aplikohet pagesa e tarifës. Vendimi parashikon edhe ulje 20 % të vlerës për subjektet që kanë paraqitur kërkesë përpara datës 1.7.2012 dhe që kryejnë pagesën brenda 30 ditëve nga marrja dijeni për njoftimin.

Afatet dhe njoftimet

Në rastet kur gjatë regjistrimit fillestar apo përmirësimit të zonës kadastrale evidentohen situata që kërkojnë kalimin e pronësisë së truallit shtetëror në përdorim, ASHK-ja njofton subjektet për depozitimin e kërkesës përmes “e-Albania”. Të ardhurat e mbledhura nga ky proces arkëtohen dhe përdoren nga ASHK-ja, sipas nenit 67 të ligjit.

Trualli i ndërtesave të privatizuara

Për trojet e ndërtesave të privatizuara, kërkesa shoqërohet me dokumentacion që vërteton pronësinë mbi ndërtesën dhe pagesën e taksës së truallit nga data 7.6.2010 deri në datën e aplikimit. ASHK-ja verifikon pronësinë, posedimin faktik, statusin shtetëror të truallit dhe shlyerjen e detyrimeve. Brenda 60 ditëve nga depozitimi i kërkesës, kryhen verifikimet arkivore, juridike dhe faktike, si dhe evidentohet sipërfaqja në terren. Sipërfaqja që kalon në pronësi përcaktohet sipas genplanit të privatizimit, dokumentacionit arkivor ose, në mungesë të tyre, sipas sipërfaqes nën objekt të evidentuar në terren. Për objektet e privatizuara si banesë, që nuk kanë ndryshuar destinacion, kalimi i pronësisë kryhet pa pagesë. Për ndërtesat me funksion social-ekonomik, pagesa bëhet sipas çmimit të hartës së vlerës së tokës. Detyrimi financiar llogaritet dhe njoftohet brenda 10 ditëve, ndërsa pagesa duhet të kryhet brenda 60 ditëve.

Vendimmarrja dhe regjistrimi

Pas shlyerjes së pagesës, drejtoria vendore e ASHK-së miraton ose refuzon kalimin e pronësisë brenda 20 ditëve dhe njofton subjektin brenda 5 ditëve. Vendimi regjistrohet në regjistrin kadastral pasi të ketë kaluar afati 30-ditor i ankimit ose pas përfundimit të shqyrtimit të tij. Regjistrimi kryhet pa kërkesë shtesë dhe pa parapagim tarifash, ndërsa deri në shlyerjen e plotë të tyre mbi pasurinë rëndon hipoteka ligjore. Pasuritë e miratuara publikohen çdo muaj në faqen zyrtare të ASHK-së.

Ndërtesat me leje ndërtimi pa dokumentacion trualli

Vendimi rregullon edhe rastet e ndërtesave të ngritura në bazë të lejeve të ndërtimit pas datës 10.8.1991, kur mungon dokumentacioni i dhënies së tokës. Procedurat janë të ngjashme, me afat 60-ditor për verifikime. Kur ndërtesa ka funksion banimi dhe përdoret për banim, kalimi i pronësisë mbi truall kryhet pa pagesë. Për funksion social-ekonomik, vlera llogaritet sipas hartës së vlerës së tokës dhe paguhet brenda 60 ditëve nga njoftimi.

Raste të veçanta dhe përjashtime

Nëse gjatë evidentimit konstatohet ndërtim pa leje mbi të njëjtin truall, zbatohen përcaktimet e nenit 63 të ligjit. Ndryshimet në sipërfaqe minus ose plus 5 %, por jo më shumë se 50 m2, konsiderohen normë gabimi në matje. Vendimi trajton edhe rastet kur trualli është transferuar në administrim te institucionet qendrore ose njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke parashikuar shuarjen e përgjegjësisë së administrimit pas kalimit të pronësisë.