Një familje e tërë në kultivimin e plantacionit me mbi 5 mijë rrënjë hashashi, 2 të arrestuar, 2 vëllezër në kërkim dhe një grua nën akuzë

Malësi e Madhe- Një familje është zbuluar në kultivimin e plantacioneve me hashash në zonën e thellë pyjore të Malësisë së Madhe, teksa dy persona janë arrestuar, u shpallën në kërkim dy vëllezër dhe nën hetim në gjendje të lirë po hetohet një grua.

Burime zyrtare të Policisë së Shkodrës bënë sot me dije se finalizuan fazën e radhës të operacionit të koduar “Koordinata”, ku u zbuluan 5093 bimë narkotike të kultivuara, në fshatin Alijaj.

Në pranga ranë Ermir Shabaj dhe Kadri Shabaj, 47 dhe 74 vjeç, të afërm mes tyre. Gjetja e parcelave u bë nëpërmjet mbikëqyrjes së territorit duke përdorur edhe dronët, përveç informacioneve të marra në rrugë operative.

“Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera në kuadër të operacionit policor antikanabis, të koduar “Koordinata”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe arrestuan në flagrancë shtetasit E. Sh., 47 vjeç, dhe K. Sh., 74 vjeç, banues në fshatin Alijaj. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasja S. Sh., 57 vjeçe, dhe u shpallën në kërkim shtetasit B. Sh., 22 vjeç, dhe G. Sh., 25 vjeç (vëllezër), të afërm të gjithë me njëri-tjetrin”, bëri me dije policia në njoftimin zyrtar.

Gjatë operacionit në terren, u zbuluan afër banesave të tyre parcelat e mbjella me kanabis satiova. Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies.

Dosja për hetime të mëtejshme i kaloi prokurorisë vendore për të thelluar hetimet që janë ende aktive dhe zbuluar të gjithë dinamikën e ngjarjes.