Kërkoi shfuqizimin e vendimit për shpalljen “non grata”, ish-kryeministri Berisha humb gjyqin në Londër

0
1

Sali Berisha do të vijojë ta ketë të pamundur hyrjen në Britaninë e Madhe!

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri demokrat e humbi apelin në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit” në Londër, me Ministrinë e Punëve të Brendshme, “Home Office”.

Avokatët e zotit Berisha tentuan, por pa sukses, të rrëzojnë në këtë komision, dosjen britanike përmes të cilës “Home Office” e shpalli “non grata” më 19 korrik 2022.

Sipas britanikëve, ish-kryeministri ishte i përfshirë në korrupsion, ndërhyri në punët e drejtësisë dhe se kishte lidhje me krimin e organizuar.

Në vendimin e lexuar këtë të hënë në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit”, nga ku gjykatësi çështje rrëzoi pretendimin e zotit Berisha se ai gëzonte imunitet dhe nuk mund të ndëshkohej në këtë mënyrë.

“E gjejmë të pavend aplikimin e formulës të imunitetetit si ish-kreu i një shteti i aplikuar në këtë apel. Për këtë arsye dhe të tjera të trajtuara në sesionin e mbyllur kundërshtia e zotit Berisha për ti ndaluar hyrje në Britaninë e Madhe rrëzohet”.

Pjesë nga vendimi:

Arsyet se përse u mor vendimi për shpalljen non grata:

Raportimi i brendshëm tregon keqpërdorimin e pushtetit të Berishës në proceset gjyqësore dhe mbikëqyrjen e paligjshme të kundërshtarëve politikë.

Korrupsioni i përhapur nga Berisha dhe qeveria e tij, veçanërisht duke iu afruar zgjedhjeve të 2013-ës

Raportimi i brendshëm ofron një pamje të qëndrueshme dhe të qartë të korrupsionit të përhapur gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së Berishës, por veçanërisht në prag të zgjedhjeve të 2013. Kjo u përdor për të çuar përpara interesat e tij, për të ndihmuar aleatët e tij dhe për të blerë mbështetje politike.

Kontrolli i rreptë politik i Berishës dhe dominimi i qeverisë së tij

Është me rëndësi, raportimi i brendshëm tregon se korrupsioni i përhapur i qeverisë së tij nuk mund të kishte ndodhur pa dijeninë dhe autorizimin e Berishës duke pasur parasysh kontrollin e tij personal mbi qeverinë.

U shqyrtuan përfaqësimet e Dr. Berishës, duke përfshirë veçanërisht hapat që pretendohet se janë ndërmarrë për të trajtuar korrupsionin dhe përfshirjen e politikanëve të tjerë në korrupsion. Kjo u vlerësua si jo relevante, sepse edhe nëse do të ishte e vërtetë se të tjerë (si pasardhësi i tij në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha) ishin përfshirë në korrupsion, kjo nuk do të thotë se Dr. Berisha nuk kishte.

Ndërhyrja në hetimin për Fazlliç.