Gazetari Igli Çelmeta ka zbuluar detaje të reja nga hetimet për atentatin mafioz në Rinas, ku u vra Gilmando Dani, dhe mbeti i plagosur rëndë punonjësi i AMP-së Mustafa Sheqeri. Në Off the Record në A2 CNN, Çelmeta tha se nga burimet policore i është konfirmuar që është identifikuar edhe personi i cili ka patur rolin e vëzhguesit dhe të informatorit brenda aeroportit dhe shumë shpejt mund të shpallet në kërkim.
Sipas tij, ai ka qenë fillimisht i maskuar me kapele dhe syze dhe ka qëndruar rreth një orë në aeroport. Gjithashtu hetimet kanë konfirmuar dy automjete në ngjarje.
“Hetimet kanë konfirmuar dy automjete në ekzekutimin e Gilmando Danit dhe plagosjen e Mustafa Sheqerit.
Konfirmohet edhe personi që ka pasur rolin e vëzhguesit ka parkuar automjetin, fillimisht ka qenë i maskuar me kapele syze.
Avioni është vonuar 40 minuta dhe Toyota që është përdorur nga autorët ka qarkulluar rreth 40 minuta në Rinas dhe personi tjetër që ka pasur rolin e vëzhguesit e informatori nga burime nga policia është identifikuar dhe mund të shpallet në kërkim. Ka qëndruar në ambientet e aeroportit. Ka vëzhguar çdo lëvizje të Danit e Sheqerit dhe ka informuar ekzekutorët.
Ai ka parë të gjithë skenën e krimit. Më pas ka shkuar tek automjeti që kishte parkuar dhe më pas është larguar dhe ky me automjet pasi janë larguar 3 personat që ishin ekzekutorë. Ka dyshime të forta që ky person që ka ruajtur Danin dhe Sheqerin ka pasur sinjale që në momentin e parë nga aeroporti i Barcelonës. Informatori dhe ekzekutorët kanë qëndruar rreth një orë në aeroport”, tha gazetari.