Pas denoncimeve të publikuara disa ditë më parë nga Vox News lidhur me abuzimet me çmimet e produkteve nga rrjeti “Rossmann Lala”, sot ka reaguar edhe deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Braçe shkruan se çmimet e produkteve në Shqipëri janë deri dyfish më të larta krahasuar me vendet e BE, duke hedhur poshtë pretendimet se kjo situatë shkaktohet nga taksat dhe tatimet.
Sipas tij, arsyeja e vërtetë është abuzimi dhe fitimi i lartë nga tregtarët.
“Nuk është tatimi, as taksa. Është abuzimi dhe fitimi i lartë prej abuzimit”, shkruan Braçe.
Statusi i Erion Braçes
Çmimet deri dyfish më shumë; Nuk është tatimi, as taksa, është abuzimi dhe fitimi i lartë prej abuzimit!
E mbani mend këtë djalin? Ishte pak para vitit të ri; Bëri një vëzhgim krahasues dhe denoncoi publikisht! Iu turrën plot: taksat, tatimet, tvsh-ja – këto i rrisin çmimet!
A është e vërtetë kjo? Po e çoj unë më tej krahasimin dhe denoncimin: Tatimi mbi vlerën e shtuar:
Në Gjermani – 19%, në Itali – 22%, në Shqipëri – 20%;
Tatimi mbi fitimin:
Në Gjermani – 29–33%, në Itali – 24%, në Shqipëri – 15%;
Rroga minimale:
Në Gjermani – 12.82 € për orë pune = 2.050 € bruto në muaj;
Në itali – nuk ka pagë minimale, por kontratat kolektive të punës nisin me 7–9.5 € për orë pune bruto = 1.520 € bruto në muaj;
Në shqipëri është 500 € në muaj bruto.
Besoj është e qartë që nuk janë taksat që na bëjnë deri dy herë më të shtrenjtë; Nndërkohë,
mos harroni euron, rënien e fortë të saj, që praktikisht duhet t’i bënte më të lira për qytetarët produktet e importit, jo më të shtrenjta!















