“Grupet kriminale fitojnë tendera”- Nga arratia Arben Ahmetaj flet për RAI3, akuza Ramës: Takon shefat e mafies në kryeministri

Ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati prej korrikut të vitit të kaluar kur SPAK lëshoi urdhërarrest, ka dhënë një intervistë për televizionin italian Rai 3, në emisonin “Report”.

Në këtë intervistë Ahmetaj, pretendon se ka të dhëna që tregojnë se bosët e mafias marrin para publike dhe leje ndërtimi për pastrimin e parave.

“Grupet kriminale marrin tendera publikë përmes “presta nome”, dhe riciklojnë paratë në Shqipëri përmes sektorit të ndërtimit . Kordinohen me Edi Ramën”, shprehet Ahmetaj.

Sipas akuzave të ish-zvkryeministrit Arben Ahmetaj, tashmë në arrati, Rama ka raporte direkte me krerët e klaneve, e këtë ai thotë se e ka parë vetë.

“Takon shefat e mafies në Kryeministri, i kam parë”.

Ahmetaj pretendon që raportet ndërmjetësohen nga një investitor nga Durrësi, E.A, biznesmen. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka mohuar akuzat përballë gazetarëve italianë, ndersa e quan ish-zëvendësin e tij, të pabesueshëm.

“Njerëz që nuk duhen marrë seriozisht. Politika shqiptare nuk është e ndotur nga mafia”.


Artikulli në median italiane mbi deklaratat e ish-zv.Kryeministrit, Arben Ahmetaj

Rama pranon takimin me Luftar Hysën, i cilësuar nga autoritetet kanadeze si riciklues i Sinaloas, por mohon që të ketë patur një takim të dytë mes tyre.

“E kam takuar njëherë, pastaj kurrë më”, thekson Rama.

Gazetarët e RAI përfshijnë në investigimin e tyre edhe figura të njohura të politikës italiane, siç është rasti i ish-kryeministrit Massimo D’Alema, që sipas gazetarëve “Shqipëria për të ka rezultuar vendi i suksesit”.

Në vitet e fundit shumë biznesmenë italianë kërkojnë fatin përtej Adriatikut. Midis tyre Massimo D’Alema Report ka zbuluar që vitin e shkuar, ish-kryeministri Italian ka hapur në Tiranë një shoqëri lobimi “A&I”, ku deri pak muaj më parë kompanitë e sapo krijuara nuk paguanin asnjë taksë. “Kjo kompani në Shqipëri merret me kriptovalutë”, pretendon Arben Ahmetaj.

I pyetur nga Report, D’Alema e mohon këtë gjë. Ndërkohë në Tiranë që nga viti 2019 ka hapur dyert “Consulcesi tech”, firmë që ka inauguruar në Maltë një fond të specializuar mbi investimin në kriptovalutë. “Kjo kompani përfaqësohet nga Massimo Tortorella, ish-ortak i D’Alema-s në biznesin e verës. Në 2019, D’Alema dhe Rama inauguruan së bashku në Tiranë nisjen e aktivitetit të “Consulcesi Tech”, duke marrë pjesë në një takim mbi blockchain”, vijon në tej “Report” në Rai3.