Njerëzit përdorin mënyra të ndryshme për të dërguar një mesazh të rëndësishëm te familjarët apo edhe miqtë. Një 45-vjeçar ka gjetur një mënyrë paksa të dhimbshme, por që u mbyll me një fund të lumtur.
TikTokeri David Baerten, për t’i dhënë familjes mësimin e rëndësishëm për të mos humbur kontaktet, vendosi që të inskenonte vdekjen e tij. Më pas, burri nga Belgjika u shfaq në funeralin kur zbriti nga qielli me një helikopter.
45-vjeçari nuk veproi vetëm. Për planin e mirëmenduar u vunë në dijeni duke e ndihmuar dhe bashkëshortja e fëmijët. Një nga vajzat e tij e ndihmoi të mashtronte ndjekësit, në atë që shumë nga populli i internetit e cilësuan si “shaka mizore”. Në rrjetet sociale shkruante:
“U prehsh në paqe babi! Kurrë nuk do të ndalem së menduari për ty. Pse jeta është kaq e padrejtë? Pse ti? Do të bëheshe gjysh dhe ende e kishe gjithë jetën përpara. Unë të dua! Ne të duam ty! Nuk do të të harrojmë kurrë”.
Dhe nuk e lanë me kaq. Fundjavën e kaluar i organizuan ceremoninë mortore pranë Liezhit dhe për çudinë e të gjithëve që po vajtonin humbjen, “i vdekuri u ngjall”. Baerten bëri një hyrje madhështore me helikopter, i shoqëruar nga një ekip që xhironte “mrekullinë”.
Shakaja e dhimbshme e TikToker-it që numëron 162 mijë ndjekës u pasua me reagime serioze. Baerten u detyrua të shpjegonte veprimet dhe bëri të ditur se këtë e bëri për të parë si do të reagonin familjarët e tjerë, me të cilët prej kohësh nuk ishte më në kontakt të ngushtë.