Gazetarja e njohur e kronikës, Klodiana Lala ka treguar mbrëmjen e sotme se një nga nxënësit e shkollës “Fan Noli”, i cili ka qenë në vendin ku ndodhi sherri që i mori jetën 14 vjeçarit Martin Cani, ka tentuar t’i japë fund jetës.
E ftuar në emisionin “Opinion”, Lala tha se duhet treguar shumë kujdes në lidhje me ngjarje të tilla ku përfshihen fëmijë, sepse deklaratat e nxituara apo përfolja e të miturve në media, mund të shkaktojë rëndë të madhe psikologjike tek ta.
“Njëri nga fëmijët ka tentuar të vrasë veten pas kësaj ngjarje”, tha gazetarja. Klodiana Lala u bëri thirrje dhe autoriteteve që të zbardhin të vërtetën.
“Autoritetet duhet të zbardhin të vërtetën, se pati një gjuhë të papranueshme në deklaratat për shtyp. Mënyra sesi Policia reagoi i hodhi benzinë zjarrit.”
Kujtojmë se ngjarja e rëndë u regjistrua pak pas mesditës së 18 nëntorit, në afërsi të shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
14-vjeçari Mario Përlleshaj goditi me thikë në zemër bashkëmoshatarin e tij, Martin Cani i cili fatkeqësisht humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
Ndërkohë, i plagosur në këtë ngjarje mbeti dhe shoku i tij, Luis Meçja.
Ky i fundit qëndroi për gati 11 ditë në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe më pas u nis drejt Italisë për ndihmë më të specializuar.