Një burrë u qëllua dhe u vra nga një polic i shtetit të i Indianës në SHBA, pas një sherri gjatë një ndalimi trafiku të dielën pasdite, thanë autoritetet amerikane. Incidenti ndodhi vetëm disa ditë pasi ai u fal nga Presidenti Donald Trump për një kundërvajtje në lidhje me trazirat e Kapitolit të SHBA-së në vitin 2021.
Rreth orës 16:15, një zëvendës i Sherifit të Qarkut Jasper kreu një ndalim trafiku, oficeri ka tentuar ta arrestojë të dyshuarin, por autoritetet thonë se i dyshuari ka rezistuar dhe ka ndodhur një sherr.
“Në mes të dyshuarit dhe oficerit ka ndodhur një përleshje, e cila ka rezultuar që oficeri ka qëlluar me armë dhe ka plagosur për vdekje të dyshuarin”, thuhet në një komunikatë me shkrim. Policia tha se gjatë ndalimit të trafikut, i dyshuari posedonte një armë zjarri.
Personi i vrarë u identifikua si Matthew Huttle, 42 vjeç, nga Hobart, Indiana.
“Ngushëllimet tona shkojnë për familjen e të ndjerit pasi çdo humbje jete është traumatike për ata që ishin afër zotit Huttle,” tha Sherifi Patrick Williamson.
Një hetim është në vazhdim. Oficeri i përfshirë në të shtënat është nën leje administrative sipas protokollit standard. Autoritetet nuk thanë se çfarë mund të ketë shkaktuar ndalimin e trafikut.
Në vitin 2023, Huttle u dënua me gjashtë muaj paraburgim pasi u deklarua fajtor për hyrjen në një ndërtesë të kufizuar. Ai kishte udhëtuar me xhaxhain e tij në Uashington për të marrë pjesë në tubimin e 6 janarit 2021, pro-Trump, dhe të dy hynë në Kapitol. Huttle ishte brenda për 16 minuta dhe e regjistroi edhe në video.
“Ai nuk është një besimtar i vërtetë në asnjë kauzë politike,” tha avokati mbrojtës Andrew Hemmer në një dosje gjyqësore. “Ai në vend të kësaj shkoi në miting sepse mendoi se do të ishte një moment historik dhe nuk kishte asgjë më të mirë për të bërë pasi doli nga burgu” për një shkelje.